NATO “dëbon” spiunët rusë dhe rikthen “linjat e nxehta”

NATO do të rikthejë në funksion të ashtuquajturat “linjat e nxehta”, që gjatë Luftës së Ftohtë shërbenin për të vendosur kontakt të drejtpërdrejtë mes ushtarakëve perëndimore dhe atyre në Moskë.

Kontakti shërbente për të reduktuar përshkallëzimin e tensioneve ushtarake dhe me të njëjtin objektiv do të rivendoset. Shkak për këtë është bërë rritja e ndjeshme e tensioneve mes Rusisë dhe Perëndimit, që prej nisjes së krizës në Ukrainë dhe pas aneksimit të gadishullit të Krimesë.

Paralelisht me përpjekjet për të vendosur kontaktet të drejtpërdrejta me ushtarakët e lartë rus, NATO synon edhe të ‘pastrojë’ zyrat e veta. Në Bruksel dyshohet se janë me dhjetra spiunë që punojnë për llogari të Moskës.

Në një intervistë dhënë “The Guardian”, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se rritja e prezencës ajrore ruse mbi Detin e Zi, atë Balltik dhe pranë Norvegjisë, lind nevojën e vendosjes së kontaktit të drejtpërdrejtë ushtarak për të shmangur çdo keqkuptim.

“Është me rëndësi që të kemi kontakte të drejtpërdrejta ushtarake në një situatë normale për të qenë të përgatitur, që kur të ndodhë diçka jonormale ta sqarojmë atë dhe të shmangim daljen e situatës nga kontrolli. Jemi duke punuar që të vendosim këto linja 24 orë në 24. Po punojmë dhe duam të sigurohemi që të jenë funksionale në rast nevoje”- u shpreh ish-kryeministri norvegjez.

Por pavarësisht vendimit për të rihapur “linjat e nxehta”, apo siç njihen ndryshe edhe si “linjat e emergjencës”, në Bruksel NATO ka ndërprerë kontaktet me diplomatët dhe oficerët rusë, që brenda vitit do të duhet të boshatisin pjesën më të madhe të zyrave të tyre në godinën e Aleancës.

Muajin e kaluar u mor një vendim ku u reduktua numri i personelit për delegacionet e shteteve joanëtare. Limiti u vendos jo më shumë se 30 vetë. Rregulli i ri,  që është duke u zbatuar, prek vetëm Moskën.

“The Guardian” shkruan se zyrtarë dhe diplomatë të NATO-s thonë privatisht se më shumë se gjysma e personelit të delegacionit rus dyshohet se punon për shërbimet sekrete. Dyshimet shtohen më shumë nga mungesa e një informacioni të qartë se prej sa anëtarësh përbëhet delegacioni i Moskës në zyrat e NATO-s. Vetë Rusia thotë se është 37, diplomatë të vendeve anëtare thonë 61, të tjerë shkojnë deri në 90.

Stoltenberg pranon se ishte në dijeni të rregullit që do të prekte vetëm Rusinë, por mohoi se ky rregull ishte enkas për të goditur Moskën.

“Nuk shënjestron asnjë delegacion të asnjë vendi të veçantë. Me aq sa di unë, përshtypja ime është që ky rregull po pranohet dhe do të zbatohet plotësisht brenda pak muajsh. Me rusët kemi vendosur të pezullojmë të gjithë bashkëpunimin praktik, por ruajmë kanalet politike dhe ushtarake dhe një delegacion me 30 vetë mjafton për këtë”- thotë Stoltenberg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *