Nis gara për Kryeprokuror, Kuvendi: Pesë ditë kohë për kandidatët

 Parlamenti zyrtarizoi nisjen e garës për kryeprokuror vetëm disa orë pasi Adriatik Llallës i mbaroi mandati.
Kuvendi njoftoi të gjithë prokurorët me eksperiencë të gjatë pune që brenda të martës së ardhshme, të dorëzojnë jetëshkrimin e tyre bashkë me deklaratën se pranojnë të kandidojnë për kryeprokuror të përkohshëm.

Pas intervistimit të kandidatëve dhe renditjes së tyre sipas kritereve, komisioni i ligjeve ja dërgon listën parlamentit, i cili do të votoje më pas për Kryeprokurorin e përkohshëm. Menjëherë pas shpalljes së garës është shfaqur edhe prokurori që mund të jetë një kandidat i mundshëm.

Bëhet fjalë për drejtuesin e prokurorisë së apelit të Durrësit Ferdinand Elezi, i cili mesditën e së premtes ishte në Prokurorinë e Përgjithshme. Ai dha këtë deklaratë mbi arsyet e vizitës në Prokurorinë e Përgjithshme.

“Isha në prokurori për të marrë një vërtetim për vjetërsi pune, kaq ishte”, tha Ferdinand Elezi, drejtues i Prokurorisë së Apelit Durrës.

Ndërkohë në institucionin qendror të akuzës mesditën e së premtes, që është një ditë pushimi zyrtare, ishte vetëm kryeprokurori në detyrë, Adriatik Llalla, i cili u largua nga zyra pak pas mesditës.

Dhe burimet zyrtare konfirmojnë se nuk ka qenë në punë asnjë nga administrata e Prokurorisë që mund të lëshojë vërtetime vjetërsie për prokurorët.

Ferdinand Elezi është një emër i përfolur nga politika, pasi opozita e ka cilësuar si njeri të afërm me kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Sipas Opozitës, Dako po përpiqet të vendosë Elezin në krye të akuzës për të kontrolluar dhe për të bllokuar hapjen e dosjeve penal ndaj tij./TCH/

Leave a Reply