Nishani, urim për besimtarët ortodoksë për Pashkët

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë, kudo ndodhen, me rastin e festës së Pashkëve, që shënon ditën e ringjalljes së Krishtit.

“Dëshiroj sinqerisht, që me rastin e ditës së ringjalljes së Krishtit t’iu shpreh dhe t’iu përcjell, në emër të institucionit që përfaqësoj, si dhe në emër të mbarë popullit shqiptar, urimet më të mira e të përzemërta për festën e Pashkëve! Kjo ditë e shenjtë, e cila në vetvete përmban ripërtëritjen e besimit te ringjallja e shenjtë e birit të vërtetë të Zotit, sipas besimit tuaj të krishterë, te ringjizja e vlerave dhe bindjes se sakrificat, vetëmohimi, virtytet dhe altruizmi në shërbim të njerëzimit na bëjnë më të mirë, na rikujton gjithashtu se shpresa në një të ardhme edhe më të mirë nuk vdes kurrë në shpirtin tonë”, është shprehur kreu i Shtetit shqiptar, Bujar Nishani.

Dita e Pashkëve, siç thekson Presidenti, na mbush njëkohësisht me një gjallëri të re, me një vetëbesim dhe ringjallje të vërtetë vlerash, “që na bëjnë të kuptojmë se nën këtë qiell të kaltër e të pastër shqiptar, e mbi këtë dhè të trojeve të lashta arbërore, çdo hall, problem, mosmarrëveshje apo pengesë mund të zgjidhet e të kapërcehet, nëse bashkojmë forcat dhe aftësitë, duke menduar e punuar vetëm për të mirën e kombit tonë të bekuar”.

Nishani e mbyll urimin e tij me fjalët për “më shumë mirësi, paqe, dashuri për njëri-tjetrin, lumturi në gjirin e familjes, si dhe për të dashurit tuaj kudo ku jeni”.

Leave a Reply