Një vit pas vettingut: Gjykata të zbrazura nga procesi i ethshëm e sistematik

Një vit pas fillimit të procesit, institucionet e vettingut vazhdojnë punën për shqyrtimin e figurave më të larta të drejtësisë. Radha këtë të martë për të dalë përpara komisionerëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i ka takuar Fehmi Petkut, kryetar i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.

Gjyqtar me një karrierë 25-vjeçare në sistemin e drejtësisë, ai ka shërbyer 5 vitet e fundit në postin aktual. Ai njihet si gjyqtar që ka dhënë vendime të forta kundër bandave. Seanca është zhvilluar sipas rregullores pa praninë e kamerave, por me praninë e gazetarëve të pranishëm. Gjatë këtij viti të parë të vettingut, një proces i ethshëm dhe mjaft sistematik kanë kaluar dhe janë dhënë 100 vendime nga KPK-ja, 50 prej të cilave janë vendime shkarkimi; 32 gjyqtarë dhe 18 prokurorë të shkarkuar. Nga ana tjetër janë konfirmuar në detyrë 49 subjekte, njerëz të drejtësisë, sikurse kemi edhe një vendim neutral për kryeinspektoren e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Marsida Xhaferrllari, e cila as nuk u shkarkua dhe as nuk u konfirmua në detyrë.

Shumica e vendimeve, gjithsesi është apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, i cili ka ndryshuar vetëm dy vendime: ai për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, zotin Bashkim Dedja, i shkarkuar nga shkalla e dytë e vettingut ndërsa ishte konfirmuar nga KPK; sikurse u shkarkuar edhe anëtarja e KLP-së, Antoneta Sevdari, e cila ishte konfirmuar nga KPK-ja. Gjatë këtij viti kemi parë gjithashtu zbrazjen e gjykatave të vendit, përfshi Gjykatën Kushtetuese, e cila ka mbetur me vetëm një anëtar; Gjykatën e Lartë, e cila nga vettingu ka mbetur me vetëm 3 anëtarë; e po ashtu edhe shumica e kryetarëve të gjykatave e prokurorive, së paku nga shkalla e parë e vettingut. Më shumë se 700 persona të tjerë të drejtësisë pritet të dalin para vettingut./TCH/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *