Obama kritikohet për mënyrën e reagimit ndaj ISIS-it

Këmbanat e alarmit bien sot më fort se kurrë pas pohimeve alarmuese të ekspertëve se Shteti Islamik kontrollon praktikisht gjysmën e Sirisë. Rënia e qytetit të lashtë të Palmirës dhe ajo e kryeqendrës së provincës më të madhe të Irakut, Ramadit, janë për fituesin e çmimit Pulitzer, kolumnistin Charles Krauthammer, disa tregues në termometrin e dështimit të strategjisë amerikane kundër ISIS-it.

Në Siri, kishte njerëz të gatshëm të luftonin kundër këtyre ekstremistëve sunitë dhe masakrave të Asadit, por ne amerikanët vendosëm të mos i ndihmonim me arsyetimin se ata ishin inxhinierë, mjekë, punonjës bankash, pra, njerëz pak të besueshëm me armë në dorë. Në Irak ama, kemi vazhduar të tentojmë ngritjen e një ushtrie lokale me krerë fisnorë dhe ushtarakë të korruptuar, të cilët nuk kishin asnjë dëshirë të luftonin, shkruan ai.

Fjalë mjaft te ashpra, thotë ‘Corriere della Sera’, por që kanë brenda tyre diçka të vërtetë. Sot, të paktën përsa i takon Irakut, edhe jashtë qarqeve republikane ka nisur të flitet për strategji të dështuara të dy presidentëve. Obama në fakt kishte trashëguar prej paraardhësit një situatë thuajse të pamundur në Bagdad. Pushtimi i 2003-shit e eleminoi Sadam Hysesin dhe klasën e tij drejtuese sunite, pa arritur ama të ndërtonte, siç u premtua, një shtet demokratik e multietnik.

Shtëpia e Bardhë i vari shpresat tek kryeministri i ri, Al Abadi, i cili dukej i vendosur të fitonte besimin e të gjitha etnive të mozaikut irakian. Edhe ai ama, gjendet përballë një ngërçi me sunitët e dërrmuar sa nga masakrat e ISIS-it, aq nga mbërritja e milicëve shiitë që mbeten mbrojtja e vetme efikase kundër avancimit të kalifatit drejt kryeqytetit Bagdad.

Në një intervistë për revistën ‘The Atlantic’ të martën, Obama deklaroi: “Nuk besoj se po e humbasim luftën me ISIS-in”.

Por, Krauthammer fshikullon edhe në emër të shumë zërave të tjerë që vënë në dyshim suksesin e kësaj beteje. Shpresoj vërtet që ai i Obamës të jetë cinizëm i pastër, thotë kolumnisti, sepse po i besoi realisht ato që thotë, atëherë jemi të gjithë në telashe.

Leave a Reply