Opozita kërkon nisjen e procedurave për zgjedhjet e 13 tetorit, KQZ vendos nesër

Një ditë pas apelit të presidentit Ilir Meta drejtuar partive politike për tu regjistruar për zgjedhjet vendore të 13 tetorit, tre parti të opozitës PR, PAA dhe LSI i janë drejtuar me një kërkesë KQZ për fillimin e procedurave për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 13.10.2019.

Duke e konsideruar të paligjshëm 30 qershorin,  partitë opozitare theksojnë në kërkesë se “me datë 27.06.2019, Presidenti i Republikës me Dekretin e tij nr. 11 211, datë 27.06.2019 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, caktoi si datë të re zgjedhjesh, datën 13 tetor 2019, dekret i cili është në fuqi dhe i pa kontestuar nga askush”.

Në të tilla kushte sipas tyre KQZ në bazë të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe veçanërisht neneve 2, 10  dhe 21 e vijues të tij ka detyrimin ligjor që pas dekretimit të datës së zgjedhjeve të fillojë përgatitjet për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Partitë opozitare kërkojnë nga KQZ marrjen  pa vonesë  të të  gjitha masave përkatëse për të organizuar procesin zgjedhor të datës 13.10.2019, sipas Dekretit të Presidentit në fuqi.

KQZ vendos nesër

Zyra për shtyp e KQZ njoftoi se Komisioni do të mblidhet të shtunën (3 gusht) ora 10:00 për shqyrtimin e kësaj kërkese. Mbledhja mësohet se është kërkuar nga kryetari i KQZ-së, Klement Zguri.

Basha: Detyrim i KQZ-së të përgatisë infrastrukturën për zgjedhjet

Ky hap i partive opozitare vjen pas takimit të mbrëmjes së djeshme me kryetarin demokrat Basha në selinë blu. Burime nga PD konfirmojnë se qëndrimi që ka ndarë kryetari i Opozitës gjatë takimit me aleatët është se KQZ e ka detyrim të pashmangshëm të përgatisë zgjedhjet e 13 Tetorit.

“Shteti dhe partia janë dy gjëra të ndryshme. Ka një ndryshim rrënjësor midis të drejtës kushtetuese dhe të drejtës partiake. I vetmi akt me fuqi kushtetuese në lidhje me zgjedhjet është dekreti i Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Është detyrim i pashmagshëm dhe i padiskutueshëm i KQZ-së dhe institucioneve të tjera shtetërore të përgatisin infrastrukturën për këto zgjedhje. Partitë politike, pastaj, kanë të drejtën e tyre të marrin apo jo pjesë në këto zgjedhje” mësohet të ketë deklaruar Basha.

Leave a Reply