OSBE, shkollë verore për kujtesën e komunizmit dhe trashëgiminë

Një shkollë verore për komunizmin dhe trashëgiminë e tij në Shqipëri do të zhvillohet në datat 9-13 korrik, në mjediset e Fakultetit të Histori-Filologjisë. Shkolla organizohet për të dytin vit radhazi nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Fakultetin e Histori-Filologjisë dhe Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

Gjashtëdhjetë pjesëmarrësit, që do të ndjekin këtë kurs ndërdisiplinor, të zgjedhur mes 330 aplikimeve, janë kryesisht studentë të degëve të ndryshme dhe doktorantë. Gjatë pesë ditëve, ata do të ndjekin leksione për tema të ndryshme të së shkuarës totalitare, do të diskutojnë rreth dokumentarëve që do të shfaqen dhe do të dëgjojnë dëshmitë e ish-të persekutuarve.

Veprimtaria organizohet në kuadër të projektit të Prezencës së OSBE-së për nxitjen e një dialogu kombëtar për shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë regjimit totalitar në Shqipëri.

Hapja e shkollës verore do të bëhet të hënën, ora 9:30, në mjediset e Fakultetit të Histori-Filologjisë, salla “Konrad Adenauer”, ku pritet të flasin zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së, Robert Wilton, dekani Sabri Laçi dhe shefja e Departamentit të Historisë, Etleva Hyskaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *