Pagat e reja, prokurorët dhe gjyqtarët do paguhen mbi 3 mijë $ në muaj

Ndryshimi i niveleve të pagave për sistemin gjyqësor do të zbatohet pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucion i cili do të marrë formë menjëherë pas përfundimit të procesit të Vetingut për grupin e parë prioritar, i përbërë nga 57 prokurorë dhe gjyqtarë. Ky është plani i qeverisë shqiptare i cili pasqyrohet në një raport të Ministrisë së Drejtësisë për monitorimin e strategjisë ndërsektoriale të drejtësisë 2017-2020 dhe planit të veprimit për vitin 2017.

Rritja e pagave për prokurorët dhe gjyqtarët parashikohet në ligjin për statusin e magjistratëve, ndërsa kushtëzohet me kalimin me sukses të Vetingut. Duke llogaritur shtesat për vjetëri pune, përqindjen për çdo fëmijë nën 18 vjeç, shtesën prej 40 % të pagës për delegimin, vështirësitë etj., paga e një gjyqtari dhe prokurori shkon rreth 3 mijë USD në muaj, ndërsa kostoja vjetore për punonjësit e drejtësisë së re shkon 45 milionë USD në vit.

Njerëzit e drejtësisë përfitojnë edhe një sërë benefitesh të tjera si kredi të buta për shtëpi, shkollim për fëmijët, ruajtjen e familjes etj. Në raport thuhet se është bërë një vlerësim paraprak edhe për koston financiare për organet e reja të drejtësisë që pritet të ngrihen në muajt në vijim. “Vlen të theksohet se MD në bashkëpunim me kuvendin dhe me asistencën e EURALIUS, OPDAT, USAID kanë bërë një vlerësim paraprak për identifikimin dhe koston financiare që do të shoqërojë ngritjen e të gjitha organeve të reja (KLGJ, KLP, KED, ILD, dhe institucionet kundër Korrupsionit: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar/Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Njësia e Posaçme Hetimore/Byroja Kombëtare e Hetimit)”, thuhet në raport.

Ministria e Drejtësisë sqaron edhe afatin se kur do të ngrihen organet e SPAK-ut. “Janë drejt ngritjes së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar/Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Njësisë së Posaçme Hetimore/Byroja Kombëtare e Hetimit. Në përputhje me dispozitat kushtetuese, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Njësia e Posaçme Hetimore/Byroja Kombëtare e Hetimit do të krijohen jo më vonë se 2 muaj nga themelimi i KLP. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duhet të krijohet jo më vonë se 2 muaj nga krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor”, vijon raporti.

Sfida re 
Në raportin për monitorimin e realizimit të objektivave në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi, Kuvendi është para një sfide të re.  Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 34/2017 ka vendosur shfuqizimin e disa neneve të ligjit për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, lidhura me “papajtueshmërinë ambientale”, “transferimin pa pëlqim”, “veprimtaritë jashtë funksionit”, “uljen e ngarkesës”, “kohëzgjatjen në detyrë të magjistratit”, “nivelet e vlerësimit”, “shkeljet disiplinore në lidhje me ushtrimin e funksionit”, “shkeljet disiplinore dhe çështjet e veprimtarive”, “shkeljet displinore jashtë ushtrimit të funksionit”.

“Konferenca e Kryetarëve ka thirrur mbledhjen e Këshillit për Legjislacionin, për të evidentuar vendimet e GJK që kanë krijuar bollëk ligjor (përfshirë edhe vendimin e GJK që ka shfuqizuar disa nene të ligjit 96/2016) që do të merren në shqyrtim. Këshilli ka caktuar ekspertët të cilëve i ka lënë detyra specifike bazuar në arsyetimin e vendimeve të GJK për shfuqizimin e dispozitave ligjore të caktuara”, thuhet në raport.

Ligji nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” parashikon garancitë ligjore për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit që lidhen kryesisht me mënyrën e emërimit të tyre, të menaxhimit të karrierës, garancitë për qëndrimin në detyrë (patundshmërinë), përveç rasteve dhe situatave të parashikuara qartë në ligj, si dhe lidhen edhe me përfitimet financiare dhe jo financiare gjatë ushtrimit të detyrës dhe pas përfundimit të detyrës. Ligji parashikon një sistem garantues të drejtash dhe llogaridhënie që synon ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur, të paanshëm, të drejtë e profesional.

6 sfidat për Ministrinë e Drejtësisë 

1.    Sigurimi i një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent konsultimi gjatë fazave të raportimit, monitorimit dhe rishikimit të Planit të Veprimit me institucionet përgjegjëse dhe grupet e interesit.

2.    Rritja e nivelit të përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies nga strukturat e brendshme të institucioneve përgjegjëse edhe nëpërmjet fuqizimit të koordinimit ndërinstitucional.

3.    Kryerja e procesit të monitorimit periodik, diskutimit të gjetjeve dhe miratimit të raporteve respektive sipas afateve të raportimit të parashikuara në Strategji.

4.    Rakordimi i informacionit të marrë nga pikat e kontaktit tek Drejtoritë e Financës, të institucioneve përkatëse, përpara momentit të raportimit pranë Ministrisë së Drejtësisë.

5.    Ndërlidhja me procesin e planifikimit buxhetor vjetor dhe afatmesëm në mënyrë që të sigurohet mbulimi i nevojshëm financiar nga Buxheti i Shtetit për ato masa që parashikohen të zbatohen nëpërmjet Buxhetit të Shtetit.

6.    Informimi periodik dhe rritja e ndërgjegjësimit të institucioneve përgjegjëse të përfshira në PV mbi rëndësinë që paraqet puna e vazhdueshme për zbatimin e duhur të Planit të Veprimit dhe raportimi mbi zbatimin e aktiviteteve të saj. Kjo mbështet gjithashtu kapacitetet planifikuese të institucioneve të përfshira.

Zbatimi i reformës, paketa e ligjeve të miratuara 

1. Ligji nr. 35/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.3.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”,  i ndryshuar;

2. Ligji nr. 36/2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7895, date 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”;

3. Ligji nr. 37/2017 “Kodi i Drejtësisë për të Mitur”;

4. Ligji nr. 32/2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10173, datë 22.10.2009 “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, i ndryshuar;

5. Ligji nr. 69/2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9157, datë 04.12.2003 “Për përgjimin e komunikimeve elektronike”, i ndryshuar”;

6. Ligji nr. 70/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”;

7. Ligji nr. 43/2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa  në  ligjin nr. 157/2013 “Për Masat kundër Financimit të Terrorizmit”;

8. Ligji nr. 44/2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i ndryshuar;

9. Ligji nr. 42/2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i  ndryshuar;

10. Ligji nr. 38/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8116, datë 29.3.1996, “Kodi i Procedurave Civile të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;

11. Ligji nr. 40/2017 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8678, datë 14.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar;

12. Ligji nr. 39/2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i  ndryshuar”;

13. Ligji nr. 41/2017 “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar”;

14. Ligji nr. 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”;

15. Ligji nr. 98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”./Shqiptarja.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *