Pandemia godet buxhetin, 220 milionë € më pak

Rritet deficiti për shkak të shpenzimeve gjatë karantinës

Të ardhurat në buxhetin e shtetit ranë me 220 milionë euro për 5 muajt e parë të vitit krahasuar me një vit më parë, duke pësuar një tkurrje me 15%.

Mbledhja e taksave për Majin është më e ulëta në të gjithë muajt e këtij viti, për shkak se bizneset paguajnë mbi xhiron e kryer në Prill, një muaj i cili pati dhe ditët më të mëdha të bllokimit të bizneseve për shkak të pandemisë.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatimi mbi Fitimin, patën mosrealizimin më të madh të të ardhurave si shkak i rënies së konsumit dhe shtyrjes e pagesës së taksave për bizneset dhe individët.

Me mosrealizim janë të gjithë taksat: akciza, taksat kombëtare, sigurimet shoqërore dhe tarifat që vilen nga pushteti vendor.

Qeveria nga ana e saj ka rritur shpenzimet për dhënien e paketave për ndihmën ekonomike dhe papunësinë, ndërsa në Maj ka nisur edhe financimin e ndërtimit të disa veprave në infrastrukturë.

Kjo situatë ka rritur me 60 herë krahasuar me një vit më parë deficitin në buxhetin e shtetit, i cili rezulton 215 milionë euro.

Pritet që në Qershor të ardhurat në buxhet të kenë një përmirësim për shkak të hapjes së ekonomisë. Sipas të dhënave të INSTAT tregtia me jashtë pësoi një rritje në Maj krahasuar me Prillin si për eksportet dhe importet, por sërish nëse krahasohet me Majin e 2019-s, eksportet kanë rënë me 200 milionë euro dhe importet me 105 milionë euro.

Leave a Reply