Papunësia tek të rinjtë, zgjidhja në “call center”

Janë me mijëra të rinj, të cilët pasi përfundojnë studimet e larta, gjenden të papunë dhe e kanë të vështirë të ecin në profesionin e tyre. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se 34.2% e të rinjve janë sot në kërkim të një pune.

Mbi 30 mijë të rinj rezultojnë se janë punësuar prane bizneseve të telemarketingut, ose ato që njihen si “call center”, të cilat ofrojnë paga të sigurta dhe të ardhura të mjaftueshme për një pjesë të tyre, por jo karrierë profesionale për ta.

“Studiova në fakultetin ekonomik, dega menaxhim biznesi. Punoj në call center prej 4 vitesh tashmë, është punë që kam nisur që kur vazhdoja fakultetin për arsye ekonomike, por që më pas ngeca. Për faktin se është e vështirë realisht të gjesh në profesionin tënd, sepse mbi të gjitha të kërkojnë për eksperiencë”, thotë një vajzë e re.

Papunësia e madhe e të rinjve, sipas ekspertëve të Ministrisë së Mirëqënies Sociale, ka ardhur në rritje, pasi për vite të tëra nuk ka patur përputhje të arsimimit të të rinjve me kërkesat e tregut të punës.

“Kryesisht është mospërputhja e arsimit të marë me kërkesat e tregut të punës, mungesa e eksperiencës që është normale për të rinjtë që hyjnë për herë të parë në tregun e punës. Ka disa lloj profesionesh që janë të kërkuara në tregun e punës, profesioni në teknologjinë e informacionit, fasonët ose teknologjia përpunuese, është një nga ofruesit më të mëdhenj të punës në Shqipëri”, thotë Genta Prodani, drejtore e politikave të punësimit.

Një ndër ekspertët e sociologjisë Gëzim Tushe, shpjegon se masivizimi i arsimit, ka sjellë këtë shkallë të madhe papunësie tek të rinjtë, të cilët nuk mund të punësohen në administratë shtetërore, por u duhet të përdorin të gjitha aftësitë e tyre për t’u përshtatur me tregun e punës.

“Sot jemi përballë një bumrangu ku kemi një numër të madh studentësh të diplomuar në universitete publike e private, në një diversitet, të larmishëm profesionesh dhe degësh, të cilët e ndjejnë veten keq përballë tregut të punës. Një pjesë e madhe e studentëve, sidomos ata që janë të shkolluar në nivele të larta akademike e mendojnë se zgjidjha e punësimit të tyre do të bëhet nëpërmjet administratës publike. Administrata publike nuk është një lopë, sa mund të milet nga të gjithë për të gjetur vende pune. Unë mendoj se dy janë rrugët, ose duke i riorientuar duke fituar shprehi e shkathtësi të reja në përputhje me labilitetin në tregun e punës, dhe një rruge tjetër që nuk është fort komode në kohët e sotshme është emigrimi, largimi nga vendi”, thotë sociologu Gëzim Tushe.

Qeveria po punon për zhvillimin e arsimit profesional,si dhe për nxitjen e programeve të punësimit, për të cilat këtë vit janë dhënë 270 milionë lekë.

Leave a Reply