Pastrimi i parave, BE sjell ekspertë në Shqipëri

Partnerët ndërkombëtarë kanë nisur trajnimet për të zbuluar paratë e fshehura nga pushtetarët shqiptarë dhe “kokat” e krimit. Teksa na ndajnë disa muaj nga ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), kanë filluar përgatitjet për të çuar para drejtësisë të gjithë të korruptuarit. Në datat 7-8 qershor në qytetin e Vlorës përfaqësues të Këshillit të Evropës kanë zhvilluar takime dy-ditore me përfaqësues të Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe institucioneve të tjera, të cilët janë trajnuar në sekuestrimin e parave të pista. Gjatë këtij procesi trajnues janë angazhuar plot shtatë institucione.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë Këshilli i Evropës përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare në internet, ku lajmëronte para takimit se përfaqësuesit e saj do të viheshin në punë për të trajnuar shqiptarët për pastrimin e parave. “Gjatë trajnimit përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të parave, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit, Banka Qendrore dhe bankat komerciale, do të mësojnë mjetet dhe praktikat e mira ndërkombëtare për këmbimin e informacionit dhe trajtimin e kërcënimeve të pastrimit të parave dhe korrupsionit. Përpjekjet i bashkërenditen qasjes së mbikëqyrjes për përdorimin efektiv të burimeve dhe fokusimin në fushat e riskut më të madh, sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e KiE.

Ndërkohë, burimet i thanë gazetës që pas këtij eventi përfaqësues të Drejtorisë së Pastrimit të Parave do të ndërmarrin një tur në disa vende të Bashkimit Evropian, përfshirë këtu edhe Gjermaninë për tu trajnuar në sekuestrimin e parave të pista dhe në parandalimin e fenomenit të pastrimit të parave. Lëvizje të tilla po bëhen pak para ngritjes së SPAK me qëllim që sapo të hidhet edhe ky hap, të nisin menjëherë goditjet në nivele të larta të fenomenit të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Pra, përfaqësuesit shqiptarë janë në fazën e mbledhjes së informacioneve dhe materialeve për pushtetarët e implikuar në pastrimin e parave dhe pritet që me ngritjen e SPAK të nisin edhe goditjet e para.

Raporti i KiE për Shqipërinë

Ndërkohë, në faqen zyrtare të KiE, është bërë publik edhe raporti vjetor për vitin 2017, ku midis të tjerash përmendet edhe Shqipëria. Duke i cekur nga pak të gjitha ato që konsiderohen si gjëra shqetësuese në vendin tonë, Këshilli i Evropës thekson se Shqipëria ka bërë progres në forcimin e ligjeve për financimin e partive politike, deklarimet e pasurive, luftën kundër pastrimit të parave, si edhe për luftën kundër terrorizmit. “Në 2017 grupi Kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri (AEC-AL) kontribuoi në forcimin e kuadrit ligjor e institucional për partitë politike dhe financimet e fushatave, deklarimin e pasurive, pastrimin e parave dhe lufta kundër financimit të terrorizimit. Projekti prodhoi 14 dokumente këshilluese në lidhje me problemet e mësipërme.

Progres po bëhet gjithashtu drejt forcimit të legjislacionit të financimit të partive dhe rritjes së kapaciteteve të auditimit të stafit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të auditorëve, dhe OJQ-ve me anë të trajnimeve specifike. Legjislacioni i deklarimit të pasurive është përmirësuar me amendamente të ligjeve ekzistuese sipas këshillave të grupit kundër krimit ekonomik AEC-AL”, thuhet në raportin vjetor të Këshillit të Evropës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *