PD, Boçi: Rama mashtroi sërish me simbolet e korrupsionit dhe të krimit në krah

Në një deklaratë për shtyp të pasdites së të mërkurës, deputeti demokrat Luçiano Boçi ka akuzuar sërish kryeministrin Rama se po jep shfaqje me regji qendrore, përmes të cilave vijon – siç shprehet ai, – me përrallat dhe lumin e mashtrimeve në të cilat jeton vetëm ai dhe 40 hajdutët e tij.

Në këtë denoncim të radhës, deputeti Boçi shprehet ndër të tjera se kryeministri Rama është më i korruptuari në Ballkan dhe ka qeverinë më të korruptuar në rajon, duke e theksuar këtë fakt edhe me daljen në publik gjatë ditës së sotme në krah të dy “simboleve”, atij të korrupsionit siç e cilësoi ministrin Beqaj, dhe atij të krimit, siç iu referuar ministrit Tahiri.

“Çdo shqiptar e di sot, se ai është kryeministri më i korruptuar në Ballkan, me qeverinë më të korruptuar në Ballkan. Çdo shqiptar e di se kjo është qeveria e Beqajt të 28 tenderave të marra për veten e tij me 11 milionë euro, e Beqajt të qindra milionë eurove me koncesionet në shëndetësi, për miqtë e kryeministrit. Çdo shqiptar e di që kjo është qeveria e Tahirit, i rrethuar nga çdo anë me lidhjet me bandat e trafikantët, i kapur, i provuar me fakte e dëshmi si shërbëtor i mafias, deri në djegien e provave në laboratorin kriminalistik për interesat e tyre”, u shpreh deputeti demokrat Boçi.

Denoncimin e tij, deputeti demokrat e vijoi duke e quajtur Edi Ramën si kumbari i të gjitha punëve të pista të bëra deri më tani nga “gjymtyrët”, duke iu referuar me këtë term simboleve të korrupsionit dhe të krimit të përmendur edhe më sipër.

“Ndërkohë që jeton përrallën me 40 hajdutët e tij, ai nuk ka rritur me asnjë qindarkë shpërblimin për 600 mijë pensionistë. Papunësia është shtuar me 3 për qind, duke shkuar në nivelin më të lartë në rajon me 17.3 për qind, ku vetëm rinia është 32 për qind e papunë sot. Për dy vite, ai e çoi në 73 për qind borxhin publik”, deklaroi më tej Boçi.

Në dy vitet e drejtimit të qeverisjes së vendit, Rama – sipas Boçit, – ka bërë që Shqipëria të humbasë 35 vende në raportin më të rëndësishëm të Bankës Botërore, si dhe vetëm në 9 muajt e fundit janë vjedhur 231 mln dollarë në Dogana dhe Tatime.

Leave a Reply