Pensionet ushtarake, kush i përfiton dhe dokumentetet që duhen

Prof. Dr. Fadil Kepi, eksperti i mirënjohur i problematikave të pensioneve ka sqaruar këtë javë ne “Këndi i Ekspertit” ne raport.tv, çështjen e pensioneve ushtarake. Profesor Kepi ka sqaruar se çfarë janë pensionet ushtarake, kush i përfiton ato dhe çfarë dokumentesh duhen dorëzuar në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore për të fituar një pension ushtarak? Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Sot do të flasim për pensionet ushtarake. Çfarë janë pensionet ushtarake, kush i përfiton ato dhe çfarë dokumentesh duhen dorëzuar në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore për të fituar një pension ushtarak?

Deri në fund të vitit 2019, ushtarakët të cilët kanë punuar në Forcat e Armatosura, në Gardën e Republikës, në Policinë e Shtetit, në Policinë e Burgjeve, në Forcat Zjarrfikëse, në Shërbimin Informativ Kombëtar, në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, dalin në pension: femrat në moshën 60 vjeçe e 10 muaj, ndërsa meshkujt në moshën 65 vjeç dhe për pension të plotë do t’u kërkohen gjithsej 36 vite e 8 muaj punë e siguruar.

Ushtarakët kanë disa veçori. Së pari, ushtarakët marrin pension pleqërie në moshat e caktuara, që përmenda pak më parë, por, njëkohësisht, për periudhën që kanë punuar si ushtarakë efektivë në të gjitha llojet e policisë, por jo në Policinë Bashkiake apo në policinë e komunave dhe në policinë elektrike, pra vetëm në ato forca policie, të cilat janë të përcaktuara në Ligjin nr. 10142, të datës 15 maj 2009, “Për pensionet suplementare të ushtarakëve”. Pra, ushtarakët për çdo vit që kanë punuar si ushtarakë efektivë, që janë paguar me rrogë, përveç pensionit të pleqërisë, përfitojnë edhe një pension suplementar, i cili, sipas nenit 16 të ligjit që përmenda më lart, llogaritet me 1% të pagës mesatare referuese neto, për çdo vit që ata kanë punuar si ushtarakë efektivë. Plotësojnë vitet e plota të punës, 36 vite e 8 muaj për këtë vit dhe përfitojnë pension pleqërie të plotë. Por, kur kanë punuar 20 vite e më shumë si ushtarakë efektivë, do të përfitojnë edhe pensionin suplementar, i cili llogaritet me 1% të pagës mesatare referuese neto, për çdo vit si ushtarak efektiv.

Një veçori tjetër është që ushtarakët, të cilët kanë punuar në brigadat komando, ata që kanë punuar në Forcat Ajrore, në Forcat Detare, ushtarakët të cilët kanë punuar me helme dhe me rrezatim radioaktiv, një vit pune në këto profesione që sapo citova, sipas një vendimi të veçantë të Këshillit të Ministrave, me nr. 793, i datës 24 tetor 2010, i cili thotë: “… në këto raste, për çdo vit që kanë punuar në këto profesione të vështira, do t’i llogaritet me një vit e gjysmë për efekt pensioni”.

Vlera e pensionit suplementar plus pensionin e pleqërisë nuk mund të kalojë më shumë se sa vlera e një pensioni e gjysmë. P.sh., në qoftë se një ushtaraku, femër apo mashkull, vlera e pensionit të pleqërisë i del 30.000 lekë të rinj në muaj, pensioni suplementar llogaritet me 1% të pagës mesatare referuese neto, por vlera e këtij pensioni suplementar nuk mund të jetë më shumë se 50% e vlerës së pensionit të pleqërisë.

Vërtetimin e pagës, për sa kohë kanë punuar si ushtarakë efektivë, duke u llogaritur edhe me koeficientët përkatës, personat do ta marrin prenë institucioneve apo dikastereve ku kanë punuar.

Flas nga Tirana. Jam 62 vjeçe. Marr pensionin e burrit, prej 7.700 leekësh të rinj në muaj. Unë kam punuar në fermë, në ndërmarrjen bujqësore të Mamurrasit, rrethi i Krujës. Faktikisht kam 22 vite punë. E kam marrë librezën dhe quhet e hapur dhe më janë njohur vetëm vitet e punës nga periudha 1 prill 1981 deri më 1993. Dua që të marr pensionin tim. Çfarë mund të bëj për vitet e tjera të punës?

Në librezën e punës shënohet data e fillimit të punës dhe data e largimit. Diferenca midis këtyre dy datave, tregon numrin e viteve që zonja ka punuar në ndërmarrjen bujqësore. Në këtë rast, mendoj se është një gabim i atyre që kanë qenë shefa të kuadrit. Zonja ka dy rrugë, me të cilat mund ta zgjidhë problemin e saj. E para, mund të vazhdojë të marrë gjysmën e pensionit të bashkëshortit të saj. E dyta, mund të hapë një proces gjyqësor, dhe me anën e dy dëshmitarëve, të vërtetojë që ka punuar për 22 vite në ndërmarrjen bujqësore. Pa vendim gjykate ky problem nuk zgjidhet.

Flas nga Tirana. Jam 47 vjeç. Kam punuar në Policinë Ushtarake për 14 vite e 5 muaj. 2 vite kam qenë në reformë. Kam punuar gjithashtu në minierë, nën tokë, rreth 5 vite. A mund të përfitoj pension të parakohshëm?

Zotëria do të dalë në pension në moshën 65 vjeç dhe në atë kohë, do t’i kërkohen gjithsej 40 vite pune të siguruar për të marrë pension të plotë pleqërie. Për sa kohë që zotëria ka punuar si ushtarak në Policinë Ushtarake, do t’i njihet si vjetërsi pune për të marrë pensionin suplementar. Sa vite ka punuar si ushtarak, po aq përqind të pagës referuese mesatare do të marrë, pra 14 vite = 14%. Por kjo në moshën 65 vjeç. Aktualisht zotëria nuk përfiton pension sepse është i ri në moshë. Por, edhe në qoftë se do të dalë në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, e sqaroj edhe një herë, ushtarakët që kanë punuar si efektivë ushtarakë në policitë që përmenda në fillim, kur dalin në rezervë ose në lirim, femrat që janë 42 vjeçe dhe që kanë 12 vite pune, kanë të drejtë të dalin në rezervë dhe të marrin pagesë kalimtare për 2 vite dhe pastaj të marrin pension të parakohshëm, nga mosha 42 vjeçe deri kur të plotësojnë moshën e plotë për pension pleqërie. Kontributet e sigurimeve shoqërore i paguan shteti sepse ato nuk janë larguar me dëshirën e tyre nga puna. Ndërsa burrat dalin në pension të parakohshëm në moshën 47 vjeç, dhe u kërkohet gjithsej 15 vite punë si ushtarakë efektivë. Zotëria nuk mund të dalë në pension të parakohshëm sepse ka 14 vite punë në Policinë Ushtarake, pra nuk e plotëson kushtin e dytë. Por vitet e punës që ka nuk i shkojnë kot sepse kur të plotësojë moshën 65 vjeç, do të marrë 14% shtesë pension suplementar, mbi pensionin e pleqërisë.

Burri im ka punuar në Policinë e Burgjeve për 18 vite. Në vitin 2010 është liruar nga detyra për arsye personale. Nuk merr asnjë lloj pensioni.

Ligji nr. 10142, i datës 15 maj 2009, thotë që, të gjithë ushtarakët meshkuj, që kanë plotësuar moshën 47 vjeç dhe që kanë punuar 15 vite dhe më shumë si ushtarakë efektivë, marrin pagesë kalimtare 2 vite, e cila u njihet si vjetërsi pune, kontributet e sigurimeve shoqërore ua paguan shteti, pastaj marrin pension të parakohshëm nga mosha 47 vjeç deri në moshën 65 vjeç. Unë mendoj që në këtë rast, nuk është ashtu siç tha zonja, prandaj është mirë që të ta telefonojë zotëria, në mënyrë që të sqarohemi më saktë.

A mund të shtoni diçka tjetër për sa i përket temës së sotme?

Ushtarakët meshkuj, të cilët dalin rezervë ose në lirim, në moshën 47 vjeç dhe kanë 15 vite pune si ushtarakë efektivë, marrin pagesë kalimtare 2 vite dhe pastaj përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.

Si llogaritet pensioni i tyre në këto raste?

Sa vite puna ka personi, shumëzohet me 1,5%. Të marrim një shembull, për të qenë më të qartë. Një ushtarak është 47 vjeç dhe doli në rezervë. Duhet të ketë, të paktën, 15 vite pune si ushtarak efektiv. Në rastin tonë e zëmë se ka 27 vite pune. Atëherë: 27 vite x 1,5% = 40,5%. Pra, ai do të marrë 40,5% të rrogës. Pra për çdo vit pune si ushtarak, 1,5% të rrogës. Këtë pension do ta marrë derisa të plotësojë moshën 65 vjeç, kur do të dalë në pension të plotë pleqërie.

Por, ai ka të drejtë që, nëse ka tokë sipas ligjit, të merret me bujqësi apo me blegtori, dhe të gëzojë të ardhurat nga toka e tij.

Flas nga Devolli. Aktualisht trajtohem me raport mjekësor sepse jam i aksidentuar. Pas një muaji më mbaron raporti dhe duhet që të paraqitem në Komisionin Mjekësor të Caktimit të Aftësive për Punë. Çfarë dokumentesh duhet që të plotësoj?

Kemi dy lloje aksidentesh: aksident brenda mjediseve të punës dhe aksident jashtë mjediseve të punës. Në qoftë se zotëria është aksidentuar në punë, atëherë raporti mjekësor vazhdon më gjatë, deri në një vit. Në qoftë se nuk është aksidentuar në punë, raporti mjekësor shkon deri në 6 muaj. Nëse zotëria është aksidentuar në punë, me procesverbalin e aksidentit që i ka ndodhur, do të paraqitet në KMCAP-in e Korçës. Atje do t’i caktohet data e paraqitjes përpara Komisionit. Nëse do t’i caktohet pension i plotë invaliditeti, atëherë nuk do t’i duhet që të punojë për atë periudhë që do t’i caktojë Komisioni. Pastaj do të paraqitet sërish pranë KMCAP-it për t’u vlerësuar gjendja e tij shëndetësore, nëse është përmirësuar apo jo. Dhe nëse ai do të jetë përmirësuar dhe do të jetë i aftë për punë, atëherë do t’i ndërpritet pagesa e invaliditetit. Nëse gjendja e tij nuk do të jetë e përmirësuar, atëherë do të vazhdojë të trajtohet nga Komisioni. Por këtë do ta vendosin specialistët e Komisionit. Nëse KMCAP-i do t’i caktojë pension të plotë invaliditeti, atëherë zotëria do të marrë edhe 3.300 lekë të rinj në muaj nga Bashkia. Nëse do t’i caktohet pension i pjesshëm invaliditeti, atëherë do t’i duhet që të punojë në një punë të lehtë, për 6 orë në ditë dhe nga Bashkia do të marrë 2.200 lekë të rinj në muaj. Sqarime më të hollësishme zotërisë do t’i japin mjekët e Sigurimeve Shoqërore në Korçë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *