Për dhjetë vite pavarësi janë ndërruar katër legjislatura

Në dhjetë vjetët e pavarësisë janë ndërruar katër legjislatura. Bashkë me dy legjislaturat e para pavarësisë bëjnë gjithsej gjashtë legjislatura që nga çlirimi i Kosovës. Ish deputetë, deputetë aktualë e monitorues të Kuvendit, e vlerësojnë legjislativin si një institucion që në vend të ngritjes, ka shkuar drejt rënies dhe degradimit.

Janë vetë pjesë e Kuvendit, por nuk janë të kënaqur me cilësinë e tij. Madje, teksa bëjnë krahasime me legjislaturat e mëhershme, gjejnë shumë ndryshime që i quajnë degraduese. Disa prej deputetëve aktualë, janë kritikë kur pyeten për një vlerësim prej tyre për gjashtë legjislaturat e deritashme të Kuvendit. Besa Gaxherri e LDK-së është një prej tyre.

“Fatkeqësisht ka degradim. Në Kuvendin e Kosovës në mandatin e parë, përkundër përplasjeve që kemi pasur, nuk ke pasë mundësi të dëgjosh gjuhë çfare dëgjojmë sot në Kuvend, deri në banalitet”, tha Gaxherri për Radio Kosovën.

Njëjtë mendojnë edhe Fatmir Xhelili i PDK-së dhe Ahmet Isufi i AAK-së.

“Për fat të keq në çdo legjislaturë po bie kualiteti i punës së Kuvendit dhe ndoshta përzgjedhja e kandidatëve për deputetë nuk po është shumë e qëlluar”, tha Xhelili.

“Jo mjaftueshëm ka pasë funksionim të Kuvendit në raport me deputetin si i zgjedhur i popullit, sepse interesat e popullit janë të parat që duhet të realizohen”, tha Isufi.

Ndërsa ish kryeparlamentari Jakup Krasniqi e vlerëson lart legjislaturën e parë, por është kritik veçmas për legjislaturat e fundit.

“Nuk e them se jam i kënaqur. E them me keqardhje, ka rënie në përfaqësim dhe në institucionin përfaqësues ka njerëz që detyra e parë në jetën e tyre që e marrin është detyra e deputetit”, tha Krasniqi për Radio Kosovën.

Megjithatë ka edhe deputetë si Sala Berisha Shala e PDK-së dhe Donika Kadaj Bujupi e Vetëvendosjes që kanë mendim më ndryshe.

“Ndoshta ky degradimi që në sytë e dikujt duket e degraduar si përbërje e Kuvendit, mendoj se lidhet me sfidat të cilat e kanë përcjellë Kosovën”, tha Berisha-Shala.

“Mendoj se është goxha individuale. Do të thotë është një përkushtim i vazhdueshëm që kërkohet nga ne. E kemi mundur të bëjmë më shumë, sigurisht që po”, tha Kadaj-Bujupi.

Një vlerësim të përgjithshëm të legjislaturave, e bën Eugen Cakolli nga KDI-ja që e monitoron punën.

“I kemi pasur në përgjithësi dhjetë vjet të një mungese të parlamentarizmit të mirëfilltë në Kosovë, një mungese totale të mbikëqyrjes së Qeverisë nga ana e Kuvendit”, tha Cakolli për Radio Kosovën.

Sidomos legjislatura e pestë ishte një prej më të vështirave, për faktin se gazi lotsjellës u bë pjesë e Kuvendit, pasi opozita ishte këmbëngulëse të ndalonte ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Megjithë problemet që i përcollën legjislaturat e pas shpalljes së pavarësisë, megjithatë gjatë këtij dhjetëvjetëshi, Kuvendi i Kosovës miratoi afër 600 ligje dhe ratifikoi dhjetëra marrëveshje ndërkombëtare./RTK

Leave a Reply