Policia e Shtetit: Ja problemet me procesin zgjedhor deri në orën 14.00

Policia e Shtetit ka njoftuar problemet dhe incidentet me procesin zgjedhor, të ndodhura deri në orën 14.00 të ditës së sotme.

Sipas Policisë së Shtetit, situata në të gjithë vendin paraqitet e qetë. “Deri në orën 14:00 nuk janë evidentuar probleme lidhur me qëndrimin e policisë gjatë procesit zgjedhor”, bënë të ditur burime zyrtare, sipas të cilave, vetëm në një rast është kërkuar ndërhyrja e policisë, me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit për rivendosjen e gjendjes.

Më konkretisht, në KZAZ-në nr. 6, Qendra e Votimit Nr. 142, në orën 10:30, në Shkollën 9-vjeçare Koman, u kërkua ndihma e policisë për ndërhyrje në QV, pasi ka pasur një fluks shumë të madh të qytetarëve për të votuar. Punonjësit e policisë kanë ndërhyrë për rivendosjen e rregullit dhe pas normalizimit të situatës janë larguar, po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit.

“Gjatë procesit zgjedhor, strukturat e Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë dhe për disa incidente të vogla, për të cilat policia është thirrur nga komisionet përkatëse të qendrave të votimit, por që kanë gjetur zgjidhje pa ndërhyrjen e forcave të policisë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Leave a Reply