Policia: Jemi në Veri për ta ndaluar hyrjen e Vulinit dhe Gjuriqit

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në numër të shtuar kanë zbarkuar sot në mëngjes në kufirin e Jarinjes në veri të vendit. Nga Policia e Kosovës deklarojnë se gjenden në veri për të ndaluar hyrjen e mundshme në territorin e Kosovës të drejtorit të Zyrës për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq

Policia e Kosovës, bazuar në planifikimet e saj policore, në zbatim të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës (RKS) për ndalim të vizitës në Kosovë të zyrtarëve serbë Vulin dhe Gjuriq, ka angazhuar njësi relevante policore për implementim të këtij vendimi.

“Sipas informacioneve dhe deklarimeve të vetë zyrtarëve serbë, të njëjtit kanë deklaruar se edhe përkundër vendimit zyrtar të autoriteteve të Kosovës për ndalim të hyrjes së tyre, ata do të realizojnë vizitën e tyre të planifikuar në veri të Mitrovicës”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Tutje thuhet se Policia, me qëllim të zbatimit të vendimit zyrtar të autoriteteve shtetërore, ka angazhuar njësi relevante policore, të cilat do të veprojnë konform situatës në raport me vendimin e MPJ-së së RKS-së.

“… do të ju lejohet hyrja vetëm personaliteteve të cilët do të kenë leje zyrtare të autoriteteve të shtetit të RKS-së, për të realizuar vizitat e tyre të planifikuara sipas kërkesës zyrtare”, përfundon kumtesa e Policisë.

Ndërkohë që në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, dhjetëra pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë nisur drejt veriut të Kosovës.

Leave a Reply