Prokurori special që dha dorëheqje po hetonte edhe manipulimet me lista të veteranëve

Prokurori Elez Blakaj është raportuar se ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij si prokuror special në Prokurorinë e Shtetit. Përveç rasteve të terrorizmit që ka ndjekur në vitet e fundit, Blakaj ishte duke hetuar edhe manipulimet me listat e veteranëve.

Largimin e tij e ka konfirmuar për Kohën Ditore, kryeprokurori i Speciales Reshat Millaku.

Arsyet, sipas kësaj gazete, e thirrur në burime, janë kërcënimet të cilat ish-prokurori Special kishte marrë gjatë punës së tij.

“Blakaj vazhdimisht është ankuar se ka pranuar kërcënime gjatë kryerjes së detyrës së tij. Është ankuar edhe për mosofrim të mbrojtjes institucionale”, citon KD t’i ketë thënë një burim.

Elez Blakaj së fundi ishte duke hetuar manipulimet me listat e veteranëve të UÇK-së, shkruan Gazeta Express.

Por, ky ishte vetëm një nga rastet e rënda që ka hetuar i njëjti në vitet e fundit. Tashmë, ish-prokurori special ka ndjekur edhe disa nga rastet më të njohura që ndërlidheshin me terrorizëm.

Ai kishte ngritur aktakuzë të ngjashme edhe ndaj imamit kontrovers Shefqet Krasniqi, dhe grupeve e individëve të ndryshëm radikalë, shkruan Gazeta Express. Blakaj, para pak vitesh, akuzoi për rekrutim të terroristëve edhe ish-imamin gjilanas Zekria Qazimi dhe grupin e tij. Të njëjtit janë të dënuar për këto akuza, me vendim të plotfuqishëm, nga gjykata.

Vetë Elez Blakaj ende nuk është deklaruar për dorëheqjen. /GazetaExpress/

Leave a Reply