Pse e anuloi Trump takimin me Putinin në Argjentinë?

Presidenti amerikan Donald Trump anuloi papritur të enjten një takim me Presidentin rus Vladimir Putin të planifikuar të mbahej në Argjentinë, për shkak të mosmiratimit të tij mbi trajtimin që po i bën Rusia, Ukrainës, duke krijuar paqartësi të reja mbi lidhjet SHBA-Rusi.

“Bazuar në faktin se anijet dhe marinarët nuk janë kthyer në Ukrainë, kam vendosur se do të ishte më mirë për të gjitha palët e interesuara për të anuluar planin tim të paracaktuar për t’u takuar në Argjentinë me Presidentin Vladimir Putin”. Po shoh përpara drejt një takimi kuptimplotë, sapo kjo situatë të jetë zgjidhur! “shkruante zoti Trump në një postim në twitter.

Postimi i presidentit nga bordi i avionit e Air Force One, pak minuta nga nisja drejt Buenos Aires, për takimin e grupit të G 20-ës, ishte i papritur. Rreth një orë më parë, ai u kishte thënë gazetarëve se ndoshta do të takohej me zotin Putin, duke shtuar se ishte “një periudhë shumë e mirë për të zhvilluar takimin”.

Zoti Trump tha gjithashtu se gjatë udhëtimit drejt Argjentinës do të merrte një raport përfundimtar rreth tensioneve në rajon pas konfiskimit nga Rusia të anijeve ukrainase pranë Krimesë të dielën.

Ndërkohë Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko u ka kërkuar aleatëve të NATO-s të dërgojnë anije detare në Detin Azov për të ndihmuar vendin e tij si dhe “të ofrojnë siguri” në mesin e tensioneve të krijuara me Rusinë.

Komentet e zotit Poroshenko u botuan të enjten në gazetën gjermane Bild. Po të enjten, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se ai mund të luante një rol ndërmjetës mes Ukrainës dhe Rusisë. Zoti Erdogan ka zhvilluar biseda telefonike me udhëheqësit e të dy vendeve dhe tha se do të vazhdojë të diskutojë çështjen me Presidentin rus Vladimir Putin dhe Presidentin amerikan Donald Trump gjatë takimit të G-20 që mbahet në Argjentinë.

Të dielën forcat ruse kapën tre anije ukrainase dhe ekipet e tyre ndërsa po kalonin përmes ngushticës Kerç drejt portit Mariupol-i në Ukrainë, që ndodhet në detin Azov.

I dërguari i posaçëm i SHBA për Ukrainën Kurt Volker, u tha gazetarëve në Berlin të mërkurën se beson atë që kanë raportuar autoritetet në Kiev, se anijet ishin brenda rregullave detare botërore. /voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *