Qeveria pranon uljen e numrit të nxënësve, por shifrës 100 mijë i heq një zero

Pas deklaratave të opozitës se ka rënie të numrit të nxënësve në shkolla, ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka dalë në një deklaratë për mediat, për të thënë se shifrat e bëra publike në media nuk janë të vërteta.

Sipas saj, ky vit i ri shkollor nisi me 10 mijë nxënës më pak dhe jo me 100 mijë siç u deklaruar nga Partia Demokratike.

Besa Shahini: Shifrat që keni raportuar dje janë të pasakta dhe të pjesshme. Ju keni raportuar se në arsimin parauniversitar kemi 380 mijë nxënës, por kjo shifër përfshin vetëm nxënësit e klasave I-XII duke mos përfshirë arsimin profesional dhe parashkollorin. Në total sivjet regjistrimet në arsimin parauniversitar pa përfshirë arsimin profesional janë 455 mijë nxënës. Nëse përfshijmë arsimin profesional numri do të shkojë rreth 480 mijë nxënës. Shifrat për arsimin profesional mblidhen nga ministria e Financave dhe deri në fund të kësaj jave ne do rakordojmë numrat dhe do kemi një numër më final për regjistrimet në vitin e ri shkollor. Në supozojmë që në krahasim vitin e kaluar do kemi 10 mijë nxënës më pak dhe jo 100 mijë më pak sic keni raportuar ju.

Numri një i Arsimit tha se fenomenin i tkurrjes së numrit të nxënësve  nuk ka ndodhur gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, por ka nisur si trend që në vitin 1992, ka vazhduar në qeverisjen e PD dhe vazhdon edhe sot, në vitin 2019.

Besa Shahini: Dua të theksoj se rënia e numrit të nxënësve në shkolla nuk është një dukuri e viteve të fundit dhe as një dukuri ekskluzivisht shqiptare. Nga viti në vit Shqipëria ka pasur 10-20 mijë nxënës më pak në gjithë sistemin parauniversitar, duke përfshirë parashkollorin, shkollën fillore, shkollën e mesme të ulët dhe shkollën e mesme të lartë. Trendi rënës ka filluar që në 1992, ka vazhduar me të njëjtin intensitet në kohën e qeverisjes së PD, 2005-2013 dhe po vazhdon dhe sot. Trendi i rënies ka të bëjë me rënien e natalitetit që është një çështje që afekton Evropën Juglindore, që përfshin edhe Ballkanin.

Leave a Reply