Maqedoni, deklaratë e përbashkët e udhëheqësve politikë: Dënojmë dhunën

Udhëheqësit e partive politike në Maqedoni, shqiptare dhe maqedonase, zhvilluan një takim për të diskutuar situatën më të fundit të krijuar në vend dhe në përfundim dolën me një deklaratë të përbashkët.

Në deklaratën e nënshkruar nga kryeministri Nikolla Gruevski në emër të VMRO-DPMNE-së, Ali Ahmeti për BDI-në, Zoran Zaev për LSDM-në dhe Menduh Thaçi për PDSH-në “përkrahet e drejta e protestës për qytetarët, por dënohet dhuna”.

“Në një javë të vështirë për shtetin u takuam për t’i dhënë përkrahje të përbashkët vlerave demokratike, përfshirë të drejtën e protestës dhe dënimin e dhunës, pavarësisht a është për qëllime kriminale apo politike. Ne gjithashtu u pajtuam të vazhdojmë dialogun për hir të vazhdimit të agjendës euro-atlantike për të mirën e të gjithë qytetarëve”- thuhet në deklaratë.

Gruevski e Ahmeti, për partitë në pushtet dhe Zaev e Thaçi për partitë opozitare, zotohen në deklaratë për të vazhduar reformat për agjendën e integrimit euro-atlantik të vendit.

Takimi i 4 udhëheqësve kryesorë në Maqedoni konsiderohet një përpjekje për të tejkaluar krizën politike të tensionuar së tepërmi, pas publikimit të përgjimeve prej LSDM-së, por edhe për të diskutuar ngjarjet në Kumanovë.

Në takim morën pjesë edhe ambasadori i SHBA-ve, Jess L. Baily, dhe ai i BE-së, Aivo Orav.

Udhëheqësi opozitar maqedonas, Zoran Zaev, një ditë më parë paralajmëroi se nuk do të merrte pjesë në takimin me kryeministrin Gruevski, që sipas tij, është përfshirë në afera të shumta kriminale. Megjithatë, pas këmbënguljes së përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, Zaev ka ndërruar mendim dhe iu përgjigj pozitivisht ftesës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *