Rama: Furtuna e kazanit ngrihet mbi policinë

Kryeministri Edi Rama, në një takim me drejtuesit e policisë në Ministrinë e Brendshme, theksoi se “furtuna në kazanin e politikës dhe të mediave ngrihet mbi kokat e punonjësve të policisë”.

“Besoj që sot është dita e duhur për të ngritur disa çështje në vëmendjen tuaj dhe të publikut. Jam ndjerë vërtet mirë nga rezultatet e deritanishme të kësaj periudhe të vitit, por ndihem edhe keq kur shoh që përtej rezultateve kemi të bëjmë me një situatë në të cilën Policia e Shtetit së brendshmi ndeshet me shfaqje të papranueshme dhe së jashtmi ndeshet me një furi të papranueshme balte dhe akuzash. U bënë 4 vite që Policia e Shtetit është institucioni më i sulmuar në Shqipëri. I kam kërkuar para pak ditësh njerëzve të medias në kryeministri që të bëjnë një kërkim në të gjithë historikun e medias së lirë shqiptare për të parë treguesit mbi qëndrimet ndaj policisë. Raporti i sulmeve politike dhe mediatike ndaj policisë në këto 4 vite është 10 me 1 krahasuar me gjithë periudhën e mëparshme. Çfarë ka ndodhur në këto 4 vite? Shumë gjëra, por po ju them një. Deri tani, Policia e Shtetit ka sekuestruar nga duart e rrjeteve kriminale 35 milionë euro, të cilat në vitin e shkuar ishin plot 47 milionë euro para’ të sekuestruara nga krimi. Ndërkohë që, në vitin 2013 nuk bëheshin as 1 milion euro. Ka nevojë për koment kjo për të kuptuar se në këto 4 vite policia ka nisur ndarjen me shumë interesa dhe influenca që e katandisën në një organizatë pa asnjë siguri juridike për drejtuesit dhe punonjësit e vet”, tha Rama.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, deklaroi se “vetting-u në polici synon të nxjerrë në pah të gjithë ata persona me integritet që shërbejnë në Policinë e Shtetit”.

Xhafaj shtoi se ambicia e tij e vetme është një Shqipëri pa kanabis dhe pa krim: “Dua të theksoj sot para jush se nuk kam ambicie personale për karrierë politike përmes ushtrimit të funksionit aktual. E vetmja ambicie imja është një Shqipëri më i sigurtë për të gjithë, pa kanabis, pa krim të organizuar, më të drejtë”.

Leave a Reply