Rama merr mbështetje nga Merkel për negociatat

“Atmosfera pozitive, gjithçka varet nga Bundestagu”

Nga takimi mbi 30 minutësh me Kancelaren gjermane Angela Merkel, Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se mori mbështetje për avancimin e Shqipërisë në rrugën e afrimit me Bashkimin Europian.

“Kancelarja pati vlerësime shumë inkurajuese pozitive dhe ajo që është më e rëndësishme, një predispozitë shumë pozitive për ta çuar përpara këtë proces dhe për të arritur në një përfundim pozitiv, që do të thotë një mbështetje e Gjermanisë për atë çka të gjithë dëshirojmë”.

Rama thotë se gjithsesi fjalën e fundit për çeljen e negociatave të anëtarësimit do të ketë Bundestagu gjerman në fund të Shtatorit.

“Grupet janë grupe demokratike, kanë ide të ndryshme, kanë qasje të ndryshme, kështu që me shumë durim, ne do të vazhdojmë kontaktet dhe kjo është faza kur do të bëjmë çmos që,  pavarësisht gjithë pengesave që ja kemi krijuar vetes në gjysmën e parë të këtij viti sidomos, t’ia dalim që të hyjmë në një fazë të re, krejt tjetër, të rrugës sonë europiane”.

Kryeministri shqiptar shton se pozicioni pozitiv i Gjermanisë do të thotë shumë në tavolinën e 28 vendeve anëtare ku jo çdo gjë lidhet me Shqipërinë.

“Jemi të  vetëdijshëm se vendimi gjithsesi ka të bëjë më pak me ne dhe me çfarë bëjmë ne dhe më shumë me vendet dhe me çfarë ato kërkojnë në radhë të parë nga BE”.

Kryeministri shqiptar nënvizon se hapja e negociatave është nisja e një procesi të bazuar në plotësim të detyrave të vëna.

“Sigurisht nuk bëhet fjalë për ta mbyllur procesin, por bëhet fjalë për të hyrë në një fazë të re, me kushte në çdo hap, sepse i gjithë procesi është i kushtëzuar, duhet të përmbushësh gjithmonë disa kushte për të shkuar një hap më tutje, pastaj disa kushte të tjera, pastaj disa të tjera”.

Vetë zyra e Kancelares zbardhi temat e diskutimit dhe konfirmoi mbështetjen për Shqipërinë në rrugën e integrimit, por njeherësh vuri theksin edhe tek monitorimi që Berlini po u bën proceseve të brendshme politike.

“Në fund të Shtatorit, Bundestagu do të vendosë nëse Kancelarja Angela Merkel do të pranojë hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE të Shqipërisë në samitin e BE në mesin e Tetorit. Gjermania është shumë e interesuar që përmes mbështetjes së proceseve transformuese, të kontribuojë për përmirësimin e stabilitetit, demokracisë dhe kushtetueshmërisë në Shqipëri. Gjermania mbështeti pranimin e Shqipërisë në NATO në 2009 dhe përkrah pranimin e vendit ballkanik në Bashkimin Evropian”.

Merkel mori dhuratë nga Kryeministri një libër me piktura të tij, moment që Kancelarja e ndau me ndjekësit në rrjetet sociale, me mbishkrimin se Kryeministri shqiptar nuk është vetëm aktiv politikisht, por është edhe artist. Kreu i qeverisë shqiptare ishte edhe në Komitetin e Çështjeve Europiane të Bundestagut, ku tha se kishte kërkuar PO-në e parlamentit gjerman për Shqipërinë si dhe u prit nga kryeparlamentari Schauble./Tv Klan

Leave a Reply