Rama: Palë me biznesin e vogël kundër evazorëve të mëdhenj

Me zerimin e taksës së tatimit të fitimit, Qeveria shpreson që të fitojë besimin e biznesit të vogël për të luftuar ndaj evazionit të biznesit të madh.

Ky ishte thelbi i mesazhit të përcjellë nga kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur para socialistëve vlonjatë në kuadër të turit “Ta pastrojmë Shqipërinë”.

“Kërkojmë seriozitet të plotë nga biznesi i vogël në dhënien e kuponave për t’u bërë së bashku partnerë dhe për të bllokuar të gjithë evazorët e mëdhenj që shfrytëzojnë biznesin e vogël për të shfryrë evazionin e tyre. Në paketën e re ne kemi vendosur kusht për biznesin e vogël që të mbajë faturat tatimore për çdo blerjë që do të bëjë nga të mëdhenjtë, që të detyrohen të mëdhenjtë që të shesin me fatura tatimore. Tani, të vegjlit nuk kanë më nevojë që të fshehin shitjet për t’ja hedhur taksave sepse taksat janë zero.”, deklaroi Rama.

Kryeministri vlerësoi vendimin për heqjen dhe uljen drastike të taksave për biznesin e vogël, si rezultat i parë i reformave të ndërmarra nga qeveria.

Rama tha se inspektorët tatimorë do të tërhiqen nga kontrollet e shpeshta në terren që prej 1 janarit dhe kontrollet do të bëhen të dixhitalizuara.

“Nga janari i vitit të ardhshëm inspektorët e tatimeve do të tërhiqen, si ato ushtritë që e kanë mbaruar misionin e tyre. Do të bëhet në mënyrë krejt të re kontrolli, që falë formalizimit të bizneseve i jep mundësi administratës që të marrë përmes kompjuterit të dhëna në kohë reale për sjelljet dhe volumet e transaksioneve të çdo biznesi. Mbi bazën e këtyre të dhënave që merr kompjuteri, është po kompjuteri që jep alarmin kur ka lëvizje të dyshimta të xhiros ditore. Me të marrë këtë informacion atëherë grupi i inspektorëve del në terren”, tha Rama.

Kryeministri pranoi se gjatë operacionit anti-informalitet ka patur edhe abuzime nga ana e tatimorëve.

“Kontrollet shpesherë kanë tejkaluar masën dhe kanë kompromentuar një operacion historik, siç ishte ky i informalitetit”, tha ai.

Leave a Reply