Rama: Tërmet në drejtësi

Nëse ka një reformë që kryeministri Edi Rama e konsideron më tepër se jetike për shqiptarët, ajo është në sistemin e drejtësisë. Në konferencën për shtyp të fundvitit, kreu i qeverisë tha se, detyrimisht kjo reformë duhet të shkaktoj tërmet.“Reforma në drejtësi prek shumë interesa dhe që nga ana tjetër domosdoshmërish duhet të prodhojë tërmet, në të gjithë themelet e sistemit aktual të drejtësisë. Nëse nuk e prodhon nuk është kryefjala e duhur. Përgjigja është ky proces sjell tërmetin dhe e tund gjithë sistemin, për mua kjo është baza, të tjerat janë çështje teknike që jam i paditur.”Kryeministri tha se në fund të ditës do arrihet miratimi i kësaj reforme. Edhe pse, theksoi se ka përpjekje për të prishur balancat e mazhorancës në dëm të reformës.“Jam i bindur se asnjë diversion, asnjë përpjekje për të carë shumicën në këtë proces, nuk do të ketë sukses. E them sepse ka shumë përpjekje në këtë drejtim, nuk do kenë sukses.”Reformat janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe ndikimet janë të pashmangshme. Para mediave, kryeministri foli se viti 2016, do të rezervojë rritje ekonomike.“Kemi realizuar objektivin për të vazhduar rritjen e qëndrueshme dhe jemi besimplotë se viti i ardhshëm, do jetë viti i një kapërcimi përtej 3% të rritjes ekonomike.”Vitin e ardhshëm, Rama premtoi se për shqiptarët do nisë të zbatohet premtimi elektoral për shëndetësi falas.“Vitin e ardhshëm, nis shërbimi shëndetësor falas tek mjeku i familjes. Asnjë tarifë dhe pagesë.”Një lajm të mirë shefi i ekzekutivit u dha kamionistëve, që udhëtojnë drejt Italisë.“Më në fund qeveria italiane ka kaluar një vendim që tanimë është depozituar në parlamentin italian për heqjen e kësaj takse, barrë 500 euro për çdo kamion që hyn e del në Itali nga Shqipëria.”Ashtu si më parë, kryeministri Rama deklaroi se, nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj përcaktimit të kufirit detar me Greqinë fqinje.“Ne jemi këtu për të qeverisur punët e vendit tonë dhe mbrojtur interesat e vendit tonë. Opsionet janë në tavolinë dhe jemi gati t’ia besojmë një pale të tretë të pavarur.”Marrëdhënien e komplikuar që ka me median, Rama e risolli duke folur sërish për këneta mediatike. Por në fund, pranoi se ligjëratat e tij janë të tejzgjatura dhe të lodhshme për veshët e gazetarëve.“Kërkoj ndjesë për çdo rast dhe kur ju thoni me vetë, si nuk shpëtova nga ky akoma, por nuk premtoj se do ndryshoj.” 

Leave a Reply