Rama, tjetër letër Bashës për dialog

Të ulemi pa kushte dhe pa humbur kohë

Pa u mbushur ende 24 orë, Edi Rama i ka drejtuar një letër të dytë publike kreut të Partisë Demokratike, me të njëjtën kërkese për dialog.

Deklaratat e bëra nga Basha në takimin e zhvilluar në Durrës ku iu përgjigj negativisht ftesës së pare, kryeministri i cilëson refuzim brutal, por kjo nuk e demotivon për të ripërsëritur ftesën për t’u ulur në tryeze për të diskutuar për krizën, pa kushte.

“Zoti Kryetar,

Ju bëj publikisht thirrje: Ejani të ulemi në Tryezën e Dialogut! Pa kushte dhe pa humbur kohë.

Fushata e zgjedhjeve nis zyrtarisht në 31 maj dhe ditët e numëruara që kanë mbetur, duhen shfrytëzuar për dialog politik, jo humbur me kërcënimet e dëshpërura dhunënxitëse që nuk Ju turpërojnë vetëm Juve, po edhe vendin tonë e të gjithëve ne bashkë me të.

Ejani në Dialog të arsyetojmë si njerëz me përgjegjësi të mëdha dhe t’i ballafaqojmë divergjencat tona të mëdha, me forcën e arsyes, përpara se sa inercia e rrugës së gabuar që keni marrë t’Ju ketë degdisur në esfeltin e irrelevancës politike, megjithë grupimin Tuaj.”

Kryeministri thotë se me qëndrimin e tij, Basha po e çon Partinë Demokratike drejt rrënimit. E konsideron këtë një ogur të mirë për vendin, ndërsa përsërit se qëndrimet e tanishme nuk do ta pengojnë dot as reformën në drejtësi dhe as zgjedhjet.

“Duke Ju garantuar se jam në dispozicionin Tuaj, në çdo moment dhe pa kushte për një Dialog për Shqipërinë, si edhe duke Ju siguruar se sikur të tërë të dëshpëruarit nga Reforma në Drejtësi të hidhen përpjetë, nuk kanë për të ndalur dot as zbatimin e Reformës në Drejtësi, as zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor, uroj rikthimin Tuaj sa më të shpejtë në rrugën e arsyes.”

Ashtu si beri përpara kandidateve socialistë për kryebashkiak i përsërit vetë Bashës që i drejtohet me emrin Kryetar, kërcënimin për ata që do të guxojnë të prekin zgjedhjet e 30 Qershorit.

“Ju jeni po ashtu në të drejtën Tuaj të synoni tërheqjen pas Jush të pak individëve që mbase, kushedi, mund të jenë gati të kryejnë krime zgjedhore e të humbasin lirinë e tyre, sipas parashikimeve të Kodit Penal për ato krime dhe më tej akoma, t’i thonë lamtumirë edhe lirisë së hyrjes në SHBA dhe në vendet e Bashkimit Europian, si persona të padëshirueshëm në një botë që rrotullohet përmes zgjedhjeve demokratike, jo përmes dhunës mbi to.

Por, i dashur Lulzim, për fat të mirë Ju s’jeni vetëm në këtë vend dhe as ata që do vijojnë t’Ju ndjekin në aventurën Tuaj të pashoqe, gjithnjë e më të paktë, nuk janë asfare populli i këtij vendi. I cili lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur, nuk i ka marrë borxh nga Ju apo nga unë dhe po ashtu, nuk Ju’a ka borxh as Juve, as mua e askujt në botë, mosmbajtjen në kohë e në paqe të zgjedhjeve të radhës.”

Ftesat me letra publike të kryeministrit Rama për Lulzim Bashën janë të ngjashme me komunikimet shkresore të vitit 2017, kur palët u ulën në tryezën e dialogut dhe shkuan në zgjedhje, pas protestave të zgjatura të opozitës.

Leave a Reply