Reforma në Drejtësi, FBI sërish në Tiranë

Kanë mbërritur në Tiranë 12 oficerë amerikanë të Byrosë Federale të Hetimit, të cilët do të trajnojnë grupin që do të përfshihet në institucionin homolog shqiptar, i cili nis nga puna me fillimin e zbatimit të reformës në drejtësi.

Dy javë më parë kanë vizituar Tiranën tre oficerë të lartë të FBI-së nga zyra e Sofjes, ku ndodhet dhe qendra e kësaj organizate për Ballkanin, të cilët dhe kanë vendosur piketat e ardhjes së ekipit të ri.

Siç mësohet, agjentët e FBI-së janë të specializuar kryesisht në operacionet për gjetjen dhe gjurmimin e pastrimit të parave dhe në cyber-gjurmimin e transaksioneve financiare.

Prej më shumë se një viti, një grup i gjerë djem e vajza të reja që kanë kryer universitetin, janë rekrutuar që të jenë pjesë e grupit që do të përbëjë bërthamën e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Grupi i përzgjedhur janë kryesisht të rinj me të dhëna të përkryera rezultatesh akademike, por edhe të situr mirë për nga pikëpamja morale dhe përbërja familjare.

Janë përzgjedhur studentë me rezultate të mira në universitet, por që nuk kanë asnjë lidhje me administratën e shtetit apo politikën shqiptare.

Bie në sy fakti, se një pjesë e të rinjve që po trajnohen prej muajsh në ambientet e Akademisë së Policisë “Arben Zylyftari” në Tiranë, janë djem e vajza besimtarë që kanë përkushtim në sjelljen etike dhe morale në shoqëri.

Pjesa më e madhe e të rekrutuarve janë marrë nga shkencat kompjuterike, por ka mjaft nga to që kanë studiuar për shkenca sociale por dhe gazetari.

Në trajnimet që oficerët e FBI-së do të zhvillojnë me kadetët shqiptarë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë planifikuar si program rezistencën psikologjike dhe punën nën stres, por edhe programe specifike profesionale të gjurmimit dhe hetimit.

Siç mësohet, jo pa qëllim janë marrë edhe të rinj që kanë mbaruar për shkenca komunikimi apo gazetari, pasi ata do të përdorin aftësitë e profesionit të reporterit për të gjurmuar informatat në mënyrë të hapur dhe tangente, që të arrijnë në grumbullimin e sa më shumë të dhënave.

Byroja Kombëtare e Hetimit do të nisë nga puna menjëherë sapo të fillojë vlerësimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve aktualë nga dy institucionet e vettingut dhe natyrisht nga Grupi Ndërkombëtar i Monitorimit.

Ndërkaq, më fillim të muajit të ardhshëm hyn në fuqi edhe institucioni i Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës Speciale.

Byroja Kombëtare e Hetimit ka për detyrë të ndjekë dhe hetojë krimet e korrupsionit, pastrimit të parave dhe përfshirjen e krimit të organizuar në lidhjet e saj me politikën dhe elementë të administratës shtetërorë.

BKH do të përgatisë dosjet operative, të cilat do të dorëzohen tek Prokuroria Speciale, e cila më pas nis hetimin zyrtar dhe ndjekjen penale ndaj zyrtarëve të lartë e të mesëm, apo siç quhen tashmë “Peshqit e Mëdhenj”.

Të gjitha këto dosje do të gjykohen vetëm në Gjykatën Speciale dhe Gjykatën Speciale të Apelit, të cilat sipas të gjtiha gjasave do të mbushen me juristë të rinj dhe të pandikuar nga sistemi i vjetër.

Emërimi i anëtarëve të Gjykatës Speciale do të bëhet nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, ndërsa prokurorët specialë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Të dy këto institucione pritet të ngrihen në fillim të muajit shtator.

Mbrëmë u krye edhe akti i fundit juridik i institucionalizimit të organit kryesor të vettingut siç është Kolegji i Apelimit.

Kryetare e Kolegjit të Apelimit u zgjodh Natasha Mulaj, e cila së fundmi ka qenë ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë. /tesheshi/

Leave a Reply