Reshjet intensive – Probleme në Durrës, Berat e Vlorë, uji vërshon rrugëve

Reshjet që kanë përfshirë vendin, kanë krijuar vështirësi në disa qytete të vendit. Në Durrës, Berat e Vlorë, uji ka mbuluar rrugët kryesore të vendit, ndërkohë që për disa orë u pezullua puna në port dhe nuk u lejuan të dalin në det anijet e peshkimit.

Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar probleme në disa qytete përgjatë vijës bregdetare, por edhe në zona fushore. Në Durrës në disa rrugë ka pasur vështirësi në qarkullim të këmbësorëve dhe automjeteve, për shkak të prezencës së ujit.

Në port u pezullua për disa orë aktiviteti i peshkimit dhe sektori i ngarkim shkarkimit.E njëjta situatë ishte dhe në lagjet periferike të Durrësit, ku uji vërshoi nëpër rrugë duke krijuar probleme për kalimtarët dhe automjetet.

Në Berat kanë mjaftuar pak minuta shi që rrugët e qytetit të mbushen me ujë, në disa raste duke mbuluar dhe trotuaret.

Pusetat në anë të rrugës janë bllokuar pasi e kanë patur të pamundur sasinë e madhe të ujit. Kjo situatë përsëritet sa herë ka rreshje shiu me intensitet, të cilat ndonëse zgjasin pak, lënë pas dëme të konsiderueshme.

Në Vlorë si pasojë e motit të keq trageti i linjës vlorë-brindizi nuk ka mundur të ankorohet, ndërsa nuk janë lejuar të dalin në det anijet e peshkimit.

Leave a Reply