“Restorantet dhe baret të fundit që do hapen”, Rama: Gjobat nuk janë për të mbushur buxhetin por për të dhënë një mesazh

Kryeministri Edi Rama deklaroi dhe njëherë se restorantet dhe baret do të jenë të fundit që do të hapen për shkak të situatës së krijuar nga epidemia e koronavirusit. Në një lidhje ‘live’ në “Facebook” ku iu ka kthyer përgjigje shqetësimeve të shumë qytetarëve, Rama foli për shumë çështje, që nga lëvizja me automjet, më këmbë, paketën ekonomike etj.

Rama tha se nga sot autorizimet për të lëvizur me automjet do të jenë më të thjeshta.

“Restorantet dhe baret janë të fundit që do hapen. më vjen keq por është e pamundur ndryshe.
Nëse ju keni punë në qytet dhe do shkoni me automjet patjetër privat, patjetër por do të merrni një autorizim dhe autorizimet do të jenë shumë më të thjeshta tani që mund të lirojnë pak. E di shumë mirë që ka qenë e shtrënguar, e di shumë mirë që shumë autorizime janë refuzuar, kjo nuk ka qenë për ndonjë epsh diktatorial por thjesht për të garantuar atë që kush do ta shikojë e shikon qartë sot, rezultatin që kemi arritur në këtë luftë.
Duhet ta çojmë kurbën drejt zeros me durim, sigurisht dhimbjet nga pasoja të natyrës ekonomike janë të konsiderueshme, por askush mos ta harrojë se halli i halleve është jeta e njerëzve.
Koronavirusi ne na luan fenë siç po ua luan fenë shumë të tjerëve por arsyeja që nuk na i ka luajtur deri sot është se jemi mbrojtur shumë më fort. Armiku nuk ka ikur dhe na bën gjëmën po t’iu hapim shteg”, deklaroi Rama.

Sa i përket shqetësimeve për gjendjen e qytetarëve që nuk kanë të ardhura, Rama tha se që nga koha e Skënderbeut nuk ka vdekur kush kurrë ndonjë shqiptar për bukë. “Sepse është bukë, kripë e zemër historia e Shqipërisë. Në këtë vend po ndihmohen sot njerëzit në nevojë siç nuk mund të imagjinohej se mund të ndihmoheshin më përpara. Kanë kaluar 200 mijëshin rastet e trokitjes derë më derë të operacionit humanitar”, tha ai.

Sa iu përket masave, Rama theksoi se populli nuk merr gjoba, marrin të papërgjegjshmit. “Gjobat nuk janë për të mbushur buxhetin. Janë pak fare në raport me popullin. Por janë për të dhënë një mesazh që jetohet me rregulla dhe rregullat janë njësoj për të gjithë”, deklaroi Rama.

Sa iu përket bizneseve dhe pagës së luftës, Rama tha se nuk është refuzuar asnjë që ka të drejtë por se paketa e parë ka qenë për një kategori të caktuar.
“Do të merrni 400 mijë lekë me paketën e zgjeruar. Nuk kemi refuzuar asnjë që ka të drejtë të marrë pagën nga paketa e parë. Refuzimet janë për ata që nuk janë në atë kategori. Nuk është refuzim i nevojës, përjashtim nga ndihma por refuzim për shkak të dritares së gabuar. Është thënë e stërthënë cilat janë bizneset që do të marrin nga paketa e parë. Nga paketa e parë sot, para se të vija këtu, shifra e përfituesve është 30 mijë e diçka. Kemi dhe 40 mijë të tjera për të dhëna. Pse vonohen? Sepse bëhen verifikime në terren”, deklaroi Rama.

Leave a Reply