Rreth 2 milionë të prekur në botë nga Covid-19

Rënie të viktimave në Itali dhe Spanjë

Koronavirusi shënoi një rekord të ri global të prekurish. Shifra e tyre që prej nisjes së përhapjes është rreth 2 milionë, mes të cilëve afro 124 mijë kanë humbur jetën, ndërsa mbi 460 mijë janë shëruar.

Shtetet e Bashkuara vijojnë të jenë pika më e nxehtë e momentit, ku shifra e të prekurve është pranë 600 mijëshit, sa Spanja, Italia, Franca e Gjermania të marra së bashku, që pasojnë në renditjen botërore. Numri i viktimave amerikane është rreth 25 mijë. Megjithatë presidenti amerikan Donald Trump shqetësohet për ekonominë.

Në një deklaratë për mediat, ai tha se administrata e tij po shqyrton mundësinë e rihapjes më 1 maj të të gjitha bizneseve të mbyllura nga masat bllokuese në shumë shtete federale. Gazetarëve u tha se shefi i Shtëpisë së Bardhë ka të drejtë absolute për të marrë vendime të tilla.

Këtë deklaratë shumë prej tyre e ironizuan duke thënë se Trump po merr rolin e mbretit. Edhe vetë kreu i shërbimit infektiv në Shtetet e Bashkuara, Antoni Fauki tha se afati i vendosur nga Trump ishte jashtëzakonisht optimist.

Problematike situata po bëhet edhe në Rusi ku 24 orët e fundit pasi mbi 2700 të infektuar të rinj duke e çuar në mbi 20 mijë numrin e të prekurve dhe në rreth 200 atë të të prekurve.

Ndërsa Italia dhe Spanja njoftuan përkatësisht 602 dhe 567 viktima ditore dhe shifra në rënie infektimesh të reja. Por pavarësisht rënies së numrit të infektimeve ditore, mediat thonë se në Spanjë shumë pacientë po humbin jetën të harruar në spitale dhe dhoma izolimi pasi askush nuk kujdeset për ta për shkak të mungesës së theksuar të mjekëve dhe infermierëve.

Leave a Reply