Rrëzimi i avionit rus, 224 pasagjerë të vdekur; Putin urdhëron hetim zyrtar

Të 224 pasagjerët që ndodheshin në avionin rus të rrëzuar në Sinai të Egjiptit kanë humbur jetën, kanë njoftuar autoritetet egjiptiane.

Avioni tip Airbus A-321 sapo ishte nisur nga resorti Sharm el Sheikh për në Shën Petersburg, kur humbi kuotë dhe u rrëzua.

Rrënojat e tij janë gjetur në zonën Hasana dhe trupat e pajetë janë hequr prej andej nga skuadrat e emergjencave, së bashku me kutitë e zeza të avionit.

Një zyrtar egjiptian e cilësoi vendin e ngjarjes si një “skenë tragjike”, me trupat e viktimave që ishin të ngjitura me sediljet.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur të dielën ditë zije, ndërsa ka urdhëruar një hetim zyrtar dhe ka kërkuar dërgimin e ekipeve ruse në vendin e ngjarjes.

Në gadishullin e Sinait vepron një rrjet militantësh islamikë, të cilët deklaruan më herët gjatë së shtunës se e kishin rrëzuar ata avionin.

Por ministri rus i Transporteve, Maksim Sokolov tha për agjencinë e lajmeve “Interfax” se, “këto deklarata nuk mund të merren si të mirëqëna”.

Ai theksoi se, në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë provë që të tregojë se avioni është goditur. Ministria egjiptiane e Aviacionit Civil deklaroi se avioni ndodhej në një lartësi prej 9.450 metra kur u zhduk nga radarët.

Ekspertët e sigurisë deklarojnë se një avion që fluturon në këtë kuotë është shumë larg rrezes që mund të përshkojë një raketë tokë-ajër e mbajtur në shpatullën e një njeriu, të cilën megjithatë militantët islamikë dihet që e zotërojnë.

Leave a Reply