Rumania merr presidencën e BE

Kjo ishte atmosfera e ndërrimit të viteve në sheshin kryesor të Bukureshtit, ku rumunët festuan edhe nisjen e Presidencës së radhës të Bashkimit Evropian. Rumania, një nga vendet më të varfra të BE-së merr për herë të parë presidencën e familjen evropiane, që nga anëtarësimi i saj në vitin 2007. Për 6 muaj, kjo është një peshë e rëndë për rumunët, po të kihen parasysh zgjedhjet evropiane të Majit, largimi zyrtar nga familja evropiane i britanikëve, si dhe hapja ose jo e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Në zyrat e Brukselit nisja e presidencës rumune po shihet me skepticizëm, për shkak të dështimit të Reformës në Drejtësi, ku qeveria e majtë parashikon amnisti për ata që akuzohen për korrupsion. Komisioni Evropian tashmë ka paralajmëruar se në këtë rast, Rumania do të ndjekë shembullin e keq të Polonisë dhe Hungarisë, të cilët janë në konflikt të hapur me ekzekutivin evropian mbi pavarësinë e drejtësisë.

Vetë presidenti rumun, Klaus Iohannis, ka deklaruar se vendi i tij nuk është i gatshëm për të përmbushur këtë detyrë, pasi lideri i Partisë Social Demokrate në pushtet, Liviu Dragnea akuzohet për mashtrim në zgjedhjet parlamentare. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker në fund të mandatit të tij, po ashtu ka deklaruar se qeveria në Bukuresht ende nuk e ka kuptuar se çfarë do të thotë të udhëheqësh shtetet e BE-së.

Kryeministrja rumune, në mesazhin e saj si kryesuese e BE-së nuk iu referua zgjerimit të BE-së si prioritet kryesor, pasi në gjashtë muajt e ardhshëm rumunët do t’i kushtojnë më tepër rëndësi sigurisë evropiane, mbrojtjes së kufijve të jashtëm nga një fluks i ri emigrantësh.

“Një prioritet tjetër i jashtëm do të jetë zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, me qëllim sigurimin e më shumë siguri të jashtme dhe të brendshme. Ne do të përqendrohemi në zhvillimin e dialogut me këto shtete, si dhe përfshirjen e të rinjve në menaxhimin e çështjeve në rajon dhe në komunikimin strategjik të BE-së me Evropën Juglindore”, tha Kryeministrja Viorica Dăncilă.

Klan Plus

Leave a Reply