Seanca të reja gjyqësore për rastet e PSP-së “Target-Fortesa”, “T.N.T” dhe “Tarifa”

Në Gjykatën Penale në Shkup për sot janë caktuar seanca të reja gjyqësore për rastet “Target-Fortesa”, “T.N.T” dhe “Tarifa” të Prokurorisë Speciale Publike.

Në lëndën “Target- Fortesa” të PSP-së të akuzuar janë ish shefi i Drejtorisë së Pestë të MPB-së, Goran Grujevski Nikolla Boshkovski, ish ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, ish shefi i DSK-së Sasho Mijallkov, shefi i kabinetit të Mijallkovit, Toni Jakimovski, Vlladimir Varelov nga DSK dhe pese persona tjera nga Drejtoria.

Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për ndjekjen e komunikimeve në DSK, në periudhën prej 2008 deri në vitin 2015 ilegalisht janë ndjekur 4.286 numra telefonash për të cilët nuk është dhënë urdhra gjyqësorë.

Komunikimi ishte ndjekur para se të jepeshin dhe pas skadimit të kohëzgjatjes së urdhrave gjyqësorë të 1.541 numrave ose gjithsej  5.827 numrave telefonikë. Ishin përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.

Në bankën e të akuzuarve sot duhet të ulen edhe ish drejtori i përgjithshëm i SHA “ELEM” Dejan Boshkovski dhe edhe dy persona të tjerë, të cilët janë të akuzuar në rastin “Tarifa”. Bëhet fjalë për akuzë për furnizim të jashtëligjshëm të sistemit të softuerëve për nevojat e kompanisë shtetërore “Elektranat e Maqedonisë” që ka kushtuar rreth katër milionë euro.

Në gjykatë për sot është caktuar seancë gjyqësore edhe për lëndën “T.N.T”, për rrënimin e kompleksit banesor-afarist “Kosmos” të biznesmenit Fiat Canovski. Për lëndën “Kosmos” në mesin e të akuzuarve janë edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, si dhe ish kryetari i Komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski.

Sipas akuzës së PSP-së, të akuzuarit në vitin 2011 kanë kryer vepër penale nga urrejtja politike me rrënimin e kompleksit “Kosmos” të Fiat Canovskit.

Leave a Reply