Sërish të shtëna në “Lagjen e Trimave”. Shkupi flet për “grup të armatosur nga vendet fqinje”

Pak pas mesditës janë rikthyer të shtënat me armë zjarri në lagjen e banuar nga shqiptarët, në qytetin e Kumanovës në Maqedoni.

Korrespondenti i Top Channel raporton se lagjja mbahet ende e rrethuar prej forcave të shumta policore, ndërkohë që mediat maqedonase kanë publikuar identitetin e një personi të vrarë.

Bëhet fjalë për një qytetar me kombësi shqiptare, me inicialet P.P.

Autoritetet maqedonase nuk japin shumë detaje rreth incidentit, por thonë se për më shumë do të flasin në përfundim të operacionit policor.

Megjithatë, disa zyrtarë maqedonas kanë folur për një “grup të armatosur dhe të mirëtrajnuar që ka hyrë në Maqedoni nga një vend fqinj, me qëllim ndërmarrjen e sulmeve ndaj institucioneve maqedonase”.

Por banorët e Kumanovës thonë se nuk kanë asnjë informacion se cilët mund të jenë personat e armatosur që përmendin zyrtarët maqedonas.

Lidhur me situatën ka reaguar edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup dhe përfaqësia e Bashkimit Europian.

Diplomatët ndërkombëtarë dënojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për të ruajtur qetësinë e për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Edhe partitë politike shqiptare kanë bërë thirrje për qetësi dhe kanë ftuar qytetarët që të mos bien pre e provokimeve.

Leave a Reply