Shefi i NATO’s qetëson situatën: Lidhja Evropë-SHBA është e fortë, pavarësisht dallimeve

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se është i bindur se do të mbijetojnë lidhjet mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, pavarësisht dallimeve në tregti dhe vendimit të SHBA-së për t’u larguar nga Marrëveshja e Parisit për Klimën dhe pakti bërthamor me Iranin.

“Lidhja jonë është e fortë, mirëpo disa janë duke dyshuar në të. Dhe po, ne po i shohim dallimet”, ka thënë Stoltenberg para audiencës në Londër.

“Nuk është e shkruar në gur se lidhjet transatlantike do të mbijetojnë përgjithmonë, mirëpo besoj se ne do t’i ruajmë ato”, ka thënë ai.

Stoltenberg ka thënë se “mund të kemi parë dobësimin” e disa lidhjeve, mirëpo ai ka insistuar se “ruajtja e marrëdhënieve transatlantike është në interesin tonë strategjik”.

Deklaratat e tij kanë ardhur para mbajtjes së samitit të liderëve të NATO-s në Bruksel në muajin korrik.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili vazhdimsht ka kritikuar aleatët e aleancës për shkak të siç është shprehur ai niveleve të ulëta të financimit në mbrojtje, pritet të marrë pjesë në këtë samit.

Stoltenberg ka thënë se pret që Trump të jetë “shumë i ashpër” sa i përket mbrojtjes në këtë samit.

Shefi i NATO-s ka thënë në fjalimin e tij se është rëndësishme për të përmendur se shtetet evropiane kanë filluar të rrisin fondet për mbrojtje.

Stoltenberg ka thënë se bota përballet me “ambientin më të paparashikueshëm në gjeneratë”, për shkak të kërcënimit nga terrorizmi, sulmeve kibernetike dhe politikës agresive të Rusisë.

“Ne duhet të vazhdojmë të mbrojmë institucionet tona siç është NATO-ja dhe duhet të veprojmë në bazë të rregullave ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Disa zyrtarë evropianë kanë shprehur shqetësimet e tyre se administrata e Trumpit nuk do të jetë mjaftueshëm e ashpër për të ndëshkuar Moskën për veprimet e saj, duke përfshirë ndërhyrjen në zgjedhje dhe helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal me agjent nervor në Britani.

Trump ka shokuar muajin e kaluar grupin e shtatë shteteve më të industrializuara (G7) gjatë punimeve të një samiti në Kanada, kur ka thënë se Rusisë duhet t’i jepet mundësia për të t’u kthyer në këtë grup.

Moska nuk është pjesë e grupit në fjalë për shkak të aneksimit të Krimesë nga Ukraina më 2014.

Disa aleatë janë shprehur të shqetësuar edhe pas raportimeve se Trump mund të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin në udhëtimin e tij në Evropë për samitin e NATO-s.

Mirëpo Stoltenberg ka thënë se nuk e ka problem samitin Trump-Putin.

“Ne mbështesim dialogun me Rusinë”, ka thënë ai.

“Nuk duam tjetër luftë të ftohtë. Nuk duam garë armësh. Nuk duam ta izolojmë Rusinë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *