Rasti i Trenovës është i pari kur KPK hyn deri në cilësinë e hetimeve, edhe pse komponentët e verifikimit janë të qartë dhe kanë lidhje me pasurinë, aftësinë profesionale dhe figurën. Tashmë që shpresa e prokurorit është shkalla e dytë, avokati i tij hodhi hije dyshimi mbi standardet e vetting-ut.
Por largimi i Trenovës bën më të vështirë edhe funksionimin e një organizmi të ri të reformës siç është KED-ja, prej të cilës tashmë janë larguar dy anëtarë, ndërsa një e tretë, Rovena Gashi është e pezulluar nga detyra. Tashmë, KED-ja ka mbetur me 6 anëtarë dhe ajo nuk mund të shqyrtojë kandidaturat që synojnë Gjykatën Kushtetuese. Krahas kësaj situate, ritmet e vetting-ut duket se kanë vendosur si prioritet anëtarët që synojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Prej javësh po kontrollohen me prioritet vetëm këta kandidatë siç ishte edhe Ilir Toska, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Toska është kandidat për në KLGJ dhe sipas gjyqtarëve të vetting-ut, ai i justifikon pasuritë sepse rezulton të jetë pronar i vetëm një apartamenti në Tiranë. Relatorja evidentoi një raport të DSIK që konkludonte se gjyqtari kishte lidhje të papërshtatshme. Por, pas hetimit të thelluar, rezultoi se ky raport ishte i pabazuar në prova.
“Unë kërkoj konfirmimin në detyrë”, theksoi Ilir Toska, vendimi për të cilin shpallet më 21 qershor. Nga mënyra se si u mbajt procesi, ishte e qartë se ai e kalon provimin e KPK-së./TCH/