Shkarkohet trajneri Christian Panucci

Pa u mbushur 24 orë nga deklarata e trajnerit Christian Puancci për mos dhënien e dorëheqjes, Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi ndërprerjen e bashkëpunimit me të. Vendimi i menjëhershëm i drejtuesve të federatës erdhi pas humbjes 2 – 0 me Turqinë në Shkodër. Trajneri italian erdhi në krye të Kombëtares në Korrik të 2017, duke zëvendësuar Gianni De Biasi.

Një dështim në rolin e trajnerit për Panucci që në 15 ndeshje si trajner i Shqipërisë fitoi vetëm 4, barazoi 2 dhe humbi 9. Një bilanc tepër negativ, thuajse i ngjashëm me atë të Arie Haan. Në 2 vjet fitoi vetëm 2 ndeshje zyrtare me dy skuadra amatore si Lihtenshtejni dhe Izraeli. E sigurt qe Panucci nuk do të mbahet mend për rezultate të mira, por se si e shndërroi në një ekip humbës, një kombetare që e çoi Shqipërinë në Europë. Do mbahet mend edhe nga lojtarët jo për shpjegimin e ndonjë skeme që mund të jepte rezultat, por për kronometrin që i mbante çdonjërit prej tyre për orën e grumbullimit.

Panuccit iu dha besim para nisjes së kualifikueseve të Euro 2020 edhe pse dështoi në Ligën e Kombeve, me kushtin që të kishte një kthesë të rezultateve. Gjatë aventurës së tij me Shqipërinë që zgjati më pak se 2 vjet, Panucci pati përplasje edhe me lojtarët, duke nisur nga Taulant Xhaka, Sokol Cikalleshi dhe së fundi me Thomas Strakoshën që u pezullua para sfidës me Turqinë. Pakënaqësitë u reflektuan edhe te tifozët që e kontestuan në korr edhe në takimin e zhvilluar të premten në “Loro Boriçi”.

Federata Shqiptare e Futbollit tani duhet të vendosë për një trajner të ri. Në takimin me Turqinë në stadium ishte Edy Reja. 73-vjeçari flitet si një kandidat për të marrë drejtimin e Kombëtares. Për ndeshjen e së hënës me Andorrën, skuadra do të ketë në stol Ervin Bulkun dhe Sulejman Memën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *