Shkup, qytetarët ngrenë tenda para godinës së qeverisë: Protesta deri në largimin e Gruevskit

Opozita maqedonase nuk do t’i ndalojë protestat deri në rrëzimin e Gruevskit nga pushteti.

Menjëherë pas mitingut të madh, protestuesit filluan të vendosin tenda para godinës së qeverisë, ku siç thonë, do të qëndrojnë deri në largimin e qeverisë aktuale. Me automjete të ndryshme demonstruesit kanë sjellë, shtretër, mbulesa dhe ushqim për të vijuar me fazën e dytë të protestës.

“Siç mund të vëreni shumë qytetarë kanë vendosur të qëndrojnë këtu me tenda deri sa të largohet qeveria. Kemi përgatitur edhe program për ata që do të qëndrojnë këtu, debate, muzikë, ligjërata. Në këtë mënyrë do të mundohemi t’i tregojmë qeverisë se në këtë shtet ekziston shoqëria civile që dëshiron në Maqedoni të kthehet liria”, shprehet një qytetar.

“Planifikojmë të qëndrojmë këtu deri në fund, derisa Gruevski nuk jep dorëheqje për të ndaluar më mashtrimet e tij dhe gjërat e këqija që ia ka sjellë vendit”, tha i vendosur një tjetër qytetar.

“Do të vazhdojmë deri sa Nikolla Gruevski nuk e jep dorëheqjen. Ne shqiptarët kërkojmë edhe nga Ali Ahmeti që të jep dorëheqje nga koalicioni me Gruevskin”, tha një protestues shqiptar.

Lideri i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev, ditë më parë tha se protestuesit që do të qëndrojnë para qeverisë janë paraqitur në mënyrë vullnetare për të vijuar protestën deri në largimin definitiv te Gruevskit nga pushteti.

Leave a Reply