Shqipëri-Kosovë, takim për zbatimin e marrëveshjeve në arsim

Anëtarët e komisioneve parlamentare për arsim të Kosovës dhe Shqipërisë janë takuar të premten në Prishtinë, për të diskutuar në lidhje zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara mes dy qeverive në fushën e arsimit.

Kryetari i komisionit parlamentar për arsim i Kosovës, Nait Hasani, vlerësoi takimin si të frytshëm, duke shprehur vullnetin e të dy vendeve për realizimin e këtyre marrëveshjeve.

“Ne jemi të interesuar që pikërisht ato marrëveshje t’i realizojmë në praktikë dhe në harmonizimin e ligjeve të arsimit, të arsimit parauniversitar, të arsimit universitar dhe të shkencës e teknologjisë. Prandaj, takimi ynë sot ishte një takim shumë i frytshëm dhe uroj që takime të tilla të kemi më shpesh, ta nxisim angazhimin tonë të përbashkët. Jemi një komb”, tha Hasani.

Genc Pollo, kryetar i Komisionit për Edukim dhe Mjete të Informimit Publik të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, tha se të dy vendet kanë histori intensive të shkëmbimeve në fushën e arsimit dhe ka shumë hapësira për bashkëpunim, duke u fokusuar në unifikimin e e librit shkollor.

“Përdorimi i librit shkollor me kurrikula të njësuara, pavarësisht nëse është i prodhuar, hartuar, konceptuar në Tiranë apo në Prishtinë, apo në qytete të tjera, të përdorët në të gjithë hapësirat shqiptarofolëse nga shkollat publike dhe ato private. Këtu ka punë për të bërë për qasjen jo vetëm të kurrikulës, por edhe të sistemit të sigurimit të librit shkollor”, deklaroi Pollo.

Në takim ishte i pranishëm edhe Jonuz Muzliu, kryetar i Këshillit Kombëtar për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, i cili njoftoi për gjendjen e rëndë të literaturës shkollore: “Nxënësit në Luginë të Preshevës, sidomos të shkollës së mesme, mësojnë me literaturë të vitit 1974. Ne jemi shumë mbrapa dhe kërkuam që së paku të jemi pjesë edhe e Shqipërisë edhe Kosovës, sidomos për vitin 2015 dhe 2016”.

Në takimin e komisioneve u propozua ngritja e një nënkomisioni të përbashkët për çështjen e teksteve në Luginën e Preshevës. Alfred Peza, nga delegacioni shqiptar, tha se do të ketë angazhim nga të dyja palët që çështja e teksteve shkollore të Luginës të bëhet pjesë e axhendave të vizitës së paralajmëruar të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Beograd dhe takimit Rama- Vuçiç në Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *