Soreca: Partitë politike të shohin interesin kombëtar

Shqipëria në një udhëkryq të vazhdueshëm, mes reformave të mëdha dhe protestave në shesh”. Kështu përshkruan Euronews situatën ku ndodhet aktualisht vendi ynë, në një moment kur Bashkimi Europian është në prag të marrjes së një vendimi përfundimtar për negociatat e anëtarësimit, teksa opozita akuzon qeverinë për korrupsion dhe lidhje me krimin.

I pyetur nga Euronews nëse mes gjithë kësaj situate, Shqipëria i përmbush kushtet për hapjen e negociatave, kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë Luigi Soreca sjell si shembull reformën në drejtësi për të treguar përparimin e madh që ka bërë qeveria shqiptare.

“Shqipëria ka bërë progres domethënës prej qershorit 2018. Para së gjithash për reformën në drejtësi, që hapi institucionet e themeluara sipas ndryshimeve kushtetuese të 2016-ës. Tani pas kryerjes së procedurave të kontrollit që çuan në 140 vendime, institucionet ende nuk kanë nisur të plotësohen me gjyqtarë të rinj. Kjo është një reformë e pashembullt që e bën Shqipërinë të njohur jo vetëm në Europë por në gjithë botën.”

Ambasadori i BE thotë se akuzat e opozitës po shqyrtohen dhe Brukseli do t’i marrë në konsideratë, nëse nga drejtësia do të ketë ndjekje penale.

“Akuzat e opozitës po shqyrtohen, por duhet të shoqërohen me vendime që i takojnë shtetit të së drejtës. Nëse hetimet çojnë në vendime, në ndjekje penale e dënime, Bashkimi Europian natyrisht do t’i marrë ato në konsideratë të madhe.”

Ambasadori ka edhe një apel për palët në këtë moment vendimtar për Shqipërinë.

“U bëj apel të gjitha partive politike të kapërcejnë ngërçin aktual, të nisen nga interesi kombëtar të shqiptarëve për drejtimin që duhet të marrin. Ky është momenti për të tejkaluar ndasitë e për të parë me prioritet qytetarët shqiptarë.”

Ambasadori thotë se  93% e shqiptarëve mbështesin procesin e integrimit, por kjo nuk përkthehet në veprime konkrete nga të gjitha partitë politike në vend.

Leave a Reply