Stërvitja SHBA-K. e Jugut, Veriu: Veprim i rrëmbyer

Në kohën kur Shtetet e Bashkuara përgatiten të nisin stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, Peniani iu rikthehet kërcënimeve me paralajmërimin e një sulmi të pamërshirshëm që mund të shënjestrojë në çdo kohë Guamin, Hauain, apo edhe vet Amerikën kontinentale.

Manovrat ushtarake të Uashingtonit e Seulit konsiderohen nga vendi i izoluar komunist si një veprim i rrëmbyer, “që e çon situatën drejt një faze të pakontrollueshme të luftës bërthamore”.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut janë përshkallëzuar ndjeshëm javët e fundit, aq sa detyruan edhe Kinën të ndërhynte duke iu kërkuar palëve të frenohen.

Nuk ka shumë që Peniani njoftoi finalizimin e planit për të lëshuar 4 raketa mbi territorin amerikan të Guamit, e përpara se ta bëjë atë realitet, Kim Jong-un do të presë e të shohë se cila do të jetë lëvizja e Shteteve të Bashkuara.

“Ushtria e Koresë së Veriut është në gjendje gatishmërie të lartë, – thuhet në deklaratën e përcjellë nga media shtetërore, – dhe do të hidhet në veprim me të pikasur edhe shenjën më të vogël të luftës parandaluese”.

Se çfarë nënkupton shprehja “luftë parandaluese”, për këtë nuk u dha asnjë sqarim. Javën e kaluar, shefi i Shtabit të ushtrisë amerikane, gjenerali Joseph Dunford e bëri të qartë gjatë vizitës së tij në Pekin se stërvitja e përbashkët me Korenë e Jugut nuk është subjekt negociimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *