Sulmet e 11 Shtatorit, raporti: Agjencitë e spiunazhit neglizhuan rrezikun

CIA do të mund t’i kishte parandaluar sulmet e 11 Shtatorit 2001 ndaj Kullave Binjake, nëse agjencitë amerikane të zbulimit do të kishin bërë më shumë punë investigative.

Në këtë përfundim ka dalë raporti i ri prej 500 faqesh i sigurisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili më së shumti është i bazuar në informacione që deri vonë mbanin etiketen “Top Secret”.

Dokumentet, dikur sekrete shtetërore, përfshijnë një version më të plotë të një raporti të vitit 2005, i cili ishte realizuar nga agjencia e spiunazhit.

Pra, materialet konkludojnë se CIA nuk kishte një strategji gjithëpërfshirëse apo burime të mjaftueshme për të luftuar terroristët e rrezikshëm të Al Kaedës.

Por, pjesa më e rëndësishme e dokumenteve pasqyrojnë realitetin e vitit 2001, kur Presidenti George W. Bush, Shtëpia e Bardhë dhe shefi i anti-terrorizmit, Richard Clarke duket se nuk e kishin Al Kaedën prioritet të qeverisjes së tyre.

Kjo justifikon edhe faktin pse agjentët reflektonin një performancë të dobët në punën e tyre. Dalja në dritë e këtyre fakteve të reja ka shkaktuar një stuhi diskutimesh në Departamentin e Shtetit, Shtëpinë e Bardhë, CIA dhe në Pentagon.

Ndërkaq, kohët e fundit influenca e CIA-s është rritur, ashtu sikurse është rritur dhe buxheti për operacionet e ndërmarra prej saj, për shkak të prioritetit që Obama i ka dhënë.

Në dy vitet e fundit, qëllimi i Agjencisë amerikane të Inteligjencës ka kaluar nga rrëzimi i pushtetit të përqendruar të Bashar al Assad, tek luftimi i grupit terrorist ISIS.

Leave a Reply