Sulmet ruse mbi civilët sirianë, Erdogan: Ndalni sulmet, Turqia nuk përballon dot tjetër fluks refugjatësh

Një delegacion turk ka qenë në Rusi të hënën, për të biseduar rreth Sirisë, pas raportimeve se sulmet e përkrahura nga rusët, janë duke detyruar mijëra sirianë që të ikin drejt Turqisë.

Turqia aktualisht strehon rreth 3.7 milionë sirianë, duke shënuar kështu popullsinë më të madhe të refugjatëve, raporton Rel.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë të dielën se nuk mund të përballojë një tjetër fluks refugjatësh dhe i ka bërë thirrje Rusisë të ndalë sulmet në provincën Idlib të Sirisë.

Organizata për Ndihmë Humanitare, me bazë në Turqi ka thënë të hënën se 120,000 sirianë janë duke ikur drejt kufirit turk, shifër më e lartë sesa ajo që ka përmendur Erdogan, 80,000.

Presidenti sirian, Bashar al-Assad është zotuar për të fituar kontrollin në rajonin Idlib, zonën e fundit të rëndësishme të Sirisë, e cila është nën kontrollin e rebelëve edhe pas 8 vjetëve e gjysmë luftë.

Rusia dhe Irani kanë mbështetur forcat e Assadit në konfliktin sirian, derisa Turqia ka mbështetur rebelët sirianë që luftojnë Assadin.

Aeroplanët luftarakë rusë dhe ata sirianë kanë shënjestruar konvoje civilësh që kanë tentuar të ikin në qytetin e provincës Idlib, Maarat al-Numan, duke lënë qindra familje të bllokuara, kanë thënë aktivistët dhe grupet humanitare.

“Është situatë tragjike për civilët e mbetur në këtë qytet pasi aeroplanët rusë janë duke goditur secilin konvoj që largohet nga qyteti, derisa ata që i afrohen kufirit nuk kanë ku të strehohen”, ka thënë Mohamad Rasheed, aktivist në këtë zonë.

Leave a Reply