Task Forca Antikorrupsion, kallëzim penal për 6 drejtues institucionesh

Gjashtë drejtues të lartë të institucioneve shtetërore janë kallëzuar penalisht pasi janë konstatuar me shkelje të rënda proceduriale dhe ligjore në punën e tyre.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë një deklarate për shtyp dhënë sot paradite në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë.

Në rolin e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion dhe njëkohësisht drejtuese e Task Forcës së ngritur nga qeveria në prillin e këtij viti, ministrja Gjonaj ka bërë një bilanc të rezultateve të punës së strukturave të antikorrupsion.

Nisur nga denoncimet e qytetarëve në platformën e bashkëqeverisjes, shqiperiaqeduam.al Task Forca ka kryer kontrolle në 35 institucione, që ofrojnë shërbime publike për qytetarët, për të evidentuar praktikat abuzive, korruptive dhe arbitrare.

Në vetëm dy muaj, Maj – Qershor 2018 Task Forca Antikorrupsion ka rekomanduar 172 masa disiplinore për nëpunës të administratës publike, prej të cilave 28 largime nga detyra
Ministrja Gjonaj tha se këto largimet nga detyra përfshijnë një numër të lartë punonjësish dhe një sërë drejtuesish të zyrave rajonale të hipotekës, ALUIZNI-t, Tatimeve, AKU-së, inspektorateve, Drejtorive Bujqësore etj.

Ndërkohë që janë kallëzuar penalisht në Prokurori 6 drejtues të niveleve të ndryshme të administratës.

Janë kallëzuar:

Regjistruesi i ZVRPP Krujë, për shkelje ligjore të rënda që plotësojnë elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

Drejtori i ALUIZNI-t Sarandë dhe tre përgjegjës të po kësaj drejtorie, të sektorit të legalizimit dhe planifikimit urban dhe të sektorit të kalimit të pronësisë, të cilët dyshohen të kenë kryer në bashkëpunim veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke legalizuar sipërfaqe në letra më të mëdha se ato në realitet si dhe për mosrespektim të afateve dhe procedurave për raste të legalizimeve.

Përgjegjësi i sektorit në sektorin e asistencës dhe shërbimit ndaj tatimpaguesve në Drejtorinë Tatimore Rajonale Vlorë, i cili dyshohet për kryerjen e veprimeve që lidhen me shpërdorimin e detyrës.

Ministrja Gjonaj e mbylli komunikimin e saj me garancinë se kontrollet e Task Forcës Antikorrupsion, në bazë të denoncimeve të qytetarëve, do të vijojnë pranë të gjitha institucioneve që ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve, ndërsa ftoi qytetarët të vijojnë të denoncojnë çdo rast korrupsioni që vërejnë në zyrat e shtetit. /Lexo.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *