Tavolina e Brukselit gati për korrik, Stano: Presim të vazhdojë dialogu, pavarësisht aktakuzës ndaj Thaçit

Bashkimi Evropian pret që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë të rinisë në muajin korrik, pavarësisht zhvillimeve të fundit politike në vend, që ndërlidhen me aktakuzën kundër presidentit Hashim Thaçi nga Prokuroria Speciale e Hagës.

Një gjë të tillë e ka thënë Peter Stano, zëdhënës i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell, në një konferencë për media.

“Kur bëhet fjalë për normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd, atëherë ne po flasim për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ky dialog nuk ka alternativë. Ne kemi premtime nga dy palët që dialogu do të vazhdojë dhe ne presim që të ndodhë në korrik”, ka thënë Stano.

Ai ka thënë se është Kosova ajo që vendos se kush e përfaqëson në takimet në Bruksel dhe se Bashkimi Evropian nuk merret me një gjë të tillë.

“Varet nga Kosova se kë e zgjedh për të përfaqësuar më së miri interesat e tij në situatën aktuale”, ka thënë Stano.

Zëdhënësi i BE-së tutje ka thënë se Kosova e Serbia e dinë rëndësinë e madhe të vazhdimit të dialogut dhe përfitimet që do të kenë popujt në të dy shtetet, si dhe për përparimin e dy shteteve në rrugën e integrimit dhe afrimit me BE-në.

“E ardhmja evropian e popujve të Kosovës dhe Serbisë kalon përmes një dialogu të ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka shtuar tutje.

Gjithashtu, Stano ka thënë se BE-ja pret që institucionet e Kosovës të respektojnë detyrimet e marra sa i përket sundimit të ligjit dhe mandatit të Prokurorisë Speciale dhe të përcaktojë se kush do t’i përfaqësojë në dialog.

“Përveç dialogut me Beogradin, autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë shumë për të lehtësuar pasojat e pandemisë së virusit korona, por edhe për t’i kushtuar tërë energjinë dhe vëmendjen e tyre çështjeve ekonomike, shëndetësore dhe sociale”, ka përfunduar Stano. /Express/

Leave a Reply