Të rinjtë, epiqendra e koronavirusit në Europë

OBSH paralajmëron shtrirje të gjerë të fenomenit

Të rinjtë mund të behen epiqendra e koronavirusit në Europë. Dr. Hans Kluge, drejtor rajonal i Europës në OBSH, thotë se raportet e fundit të autoriteteve shëndetesore flasin për një përqindje më të lartë të infeksioneve të reja tek të rinjtë.

Sipas tij, me gjasë ky fenomen do të përhapet në të gjithë kontinentin, i cili deri tani ka mbi 3.2 milionë të prekur. Shkak sipas Kluge, ishte sjellja e shkujdesshme e të rinjve, pasojë edhe e sezonit turistik.  

Të martën, senati italian votoi për zgjatjen deri më 15 Tetor të gjendjes së jashtëzakonshme. Kryeministri Giuseppe Conte bëri thirrje për vigjilencë shtesë pas rritjes së infeksioneve në vendet e Ballkanit, Francë dhe Spanjë.

Gjermania vetëm në 24 orët e fundit ka regjistruar 572 raste te reja, duke rritur shqetësimin e autoriteteve për një valë të dytë. Aktualisht në Gjermani gjithsej janë 207 mijë të infektuar dhe mbi 9 mijë viktima.

Edhe pse në 24 orë ka shënuar vetëm 52 raste te reja, Greqia do të bëjë të detyrueshme përdorimin e maskës në dyqane dhe shërbime publike. Autoritetet në Rumani planifikojnë të bëjnë maska ​​të detyrueshme në vende të mbushura dhe të mbyllin baret deri në orën 23:00.

Shtetet e Bashkuara vijojnë të jenë vendi me numrin më të lartë të infektimeve në botë, ku vetëm të martën u raportuan 33.884 raste të reja, duke e çuar totalin në më shumë se 4.3 milionë. 148,298 të tjerë kanë humbur jetën.

Brazili në 24 orët e fundit regjistroi 921 vdekje të reja, duke e çuar numrin kombëtar të vdekjeve në 88.539.

Leave a Reply