“Të tjerë ministra të lidhur me krimin…ja pse Rama ka frikë nga hetimi”

Lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se nuk ka një vendim për bojkot të komisioneve parlamentare, duke lënë të nënkuptuar kështu se veprimi i opozitës kundër qeverisë Rama dhe çështjes Tahiri, do të jetë më i madh se kaq.

Vendimi do të merret i njehsuar edhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim e cila ka mbledhje të grupit të saj parlamentar në orën 13.00.

Kryedemokrati tha në një deklaratë për mediat pas mbledhjes urgjente të grupit parlamentar të PD-së, se rrëzimi i kërkesës së prokurorisë për arrestimin e Tahirit, është në shkelje të plotë të ligjit.

Basha tha se Rama bën propagandë sa i përket reformës në drejtësi, pasi të vërtetën e qëndrimit të tij, e shfaq vota e mazhorancës që rrëzoi prokurorinë në kërkesën e saj për të vënë në pranga ish-ministrin e brendshëm të akuzuar për trafik të drogës.

“Rama ka shkelur ligjin dhe kushtetutën për të mbrojtur Tahirin. Parlamenti s’ka të drejtë të kalojë në gjykatë për të vlerësuar provat”, tha Basha.

Kryeopozitari shtoi se kryeministri është peng i Tahirit, duke thënë kështu se këto veprime të tij bëhen pasi kreu i qeverisë ka frikë se i zbulohen të tjerë anëtarë të kabinetit qeveritar të përfshirë në veprimtari kriminale.

“Rama është peng i Tahirit. AI Ka frikë nga hetimi i pavarur  që do të zbulojë edhe kupolën e zyrtarëve të tjerë në qeveri të lidhur me krimin. Vettingu është i marrë fund. Vendi është në krizë. totale politike morale kushtetuese. Mazhoranca është e vdekur”,tha Basha.

Leave a Reply