Tërmeti/ Teatri Kombëtar pëson shkëputje të soletës nga kollonat

Lëkundjet e tërmetit që përfshinë sot Tiranën kanë shkaktuar çarje të soletës edhe në godinën e Teatrit Kombëtar. Për fat të mirë, rreth orës 11.00 kur u ndjenë lëkundjet e forta të tërmetit, në mjediset e teatrit kanë qenë pak njerëz, vetëm punonjësit e institucionit të cilët dolën menjëherë nga godina, por nëse kjo do të kishte ndodhur në çastin e dhënies së ndonjë shfaqjeje në skenë, aty mund të rrezikohej seriozisht edhe jeta e qytetarëve.

Pas lëkundjeve, në godinë u konstatua një shkëputje e soletës nga kolona, karakteristikë e tërmetit, si dhe plasaritje të freskëta që përbëjnë problematikë për rënien e strukturave.

Gjithashtu, janë vërejtur edhe çarje në arkitrarë, çarje në gjatësinë e kolonave, të cilat sipas ekspertëve, ndodhin ekskluzivisht për efekt të amplitudave të ndryshme të tërmetit.

Por, ajo çka e bën edhe më të frikshme situatën është fakti se nëse lëkundjet e sotme të tërmetit do të kishin ndodhur gjatë një shfaqjeje, situata do të ishte edhe më alarmante, për shkak të panikut që përfshin spektatorët në raste të tilla.

Teatri Kombëtar ka vetëm një derë kryesore, ndërkohë që dyert e emergjencës mungojnë. Po ashtu, edhe mungesa e sinjaleve orientuese drejt daljes, në të tilla situate e bëjnë edhe më kritike situatën.

Për ta kuptuar më mirë gjendjen që mund të krijohej, përfytyroni 500 spektatorë që tentojnë të dalin në të njëjtën kohë jashtë, vetëm nga një derë e ngushtë, si dera kryesore e Teatrit Kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *