Thaçi, i pakënaqur me protestën e qetë!

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, kanë deklaruar se nuk e lodhin mendjen me afatet e opozitës për dorëheqje, pasi që, siç kanë thënë ata, kanë detyrime shumë të mëdha ndaj qytetarëve.

Madje për më keq, Thaçi u tregua shumë cinik duke i konsideruar protestuesit “si të pazemër që nuk guxuan ta sulmojnë Qeverinë”.

“Kishin dërguar fjalë se na pritni sot në Qeveri. Ne i pritëm sot në Qeveri, 20 metra lartësi nga ta. Mirëpo ata nuk erdhën sepse kishim një përgjigje për ta, por u larguan si qyqarë”, deklaroi Thaçi.

I pyetur nëse po e provokon opozitën me këto deklarata, Thaçi i është përgjigjur se jo. “Nuk po i provokojmë, ne kemi heshtur e i kemi ftuar që të dialogojmë së bashku”, ka thënë ai.

Ky reagim i dy zyrtarëve më të lartë qeveritarë ka ardhur pasi partitë opozitare në protestën që kanë zhvilluar dje i kanë dhënë ekzekutivit 10 ditë afat për dorëheqje, përkatësisht deri më 27 shkurt, në të kundërtën, sipas tyre, do të vazhdojnë me protesta.

“Opozita mund të japë afate sa të dojë deri më 10 qershor 2018. Nuk do ta lodh mendjen për afatet e tyre sepse kemi detyrime shumë më të mëdha ndaj qytetarëve, duke forcuar shtetin, ekonominë dhe integrimin e në mekanizma euroatlantike”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka shtuar se Qeveria është e palëkundur në mandatin dhe përgjegjësitë e saj, kurse ka ftuar opozitën të kthehet në Kuvend dhe të mos merret, siç ka thënë ai, me gjëra të kota.

Ai tha se gjatë këtyre 8 vjetëve është ndërtuar një Kosovë e re, është ndërtuar FSK-ja, e cila, sipas tij, është e gatshme për të ndërhyrë në raste urgjente, por gjithashtu shteti i Kosovës është njohur nga më shumë se 110 shtete.

Mustafa po ashtu ka kritikuar partitë opozitare se pse në protestë nuk ka pasur flamur shtetëror të Kosovës.

Leave a Reply