Thaçi takon Pompeon, thotë se SHBA mbështet një marrëveshje finale Kosovë-Serbi

Presidenti Hashim Thaçi është takuar me Sekretarin amerikan, Mike Pompeo. Ai tha se në bisedë me sekretarin amerikan iu konfirmua mbështetja për të arritur marrëveshjen me Serbinë.

Thaçi, i cili po qëndron në Uashinton për “Lutjet e Mëngjesit”, përmes një njoftimi në Facebook, ka bërë të ditur se sot ka arritur të bisedojë me Mike Pompeon.

“Si gjithmonë, kënaqësi e veçantë të bisedoj me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo. Edhe sot, në Lutjet e Mëngjesit, biseduam për zhvillimet në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor”m ka shkruar presidenti i vendit.

Ndërsa ai shton se Pompeo ia konfirmoi përkrahjen e SHBA’së për t’u arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“U rikonfirmua edhe një herë përkrahja e plotë e SHBA-së për dialogun dhe për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe finale të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në postimin e Thacit.

Thaçi, kryediplomati Behgjet Pacolli dhe disa deputetë nga Kuvendi i Kosovës po marrin pjesë në organizimin e Lutjeve të Mëngjesit, që mbahet përvjet në të enjten e parë të muajit shkurt.

Kryeministri Ramush Haradinaj, edhe pse kishte ftesë, nuk ka shkuar në Uashington. Është raportuar se i është refuzuar viza, ndërsa vetë kryeministri ka thënë se nuk po arrin të shkojë për shkak të klimës së krijuar nga vendosja e taksës ndaj produkteve serbe e boshnjake.

Aty marrin pjesë liderë e zyrtarë nga qindra vende të botës. /Express/

Leave a Reply