Trump kërcënon për tërheqje të SHBA-së nga Organizata Botërore për Tregti

​Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar për largim të Shteteve të Bashkuara nga Organizata Botërore e Tregtisë, nëse ky trup dështon të ndryshojë mënyrën si po e trajton Amerikën.

“Nëse ata nuk përmirësohen, unë do të largohem nga Organizata Botërore e Tregtisë”, ka thënë Trump në një intervistë për Bloomberg News.

Organizata në fjalë është themeluar për të krijuar rregulla për tregti globale si dhe për zgjidhjen e konflikteve në mes shteteve.

Mirëpo Trump, i cili është duke shtyrë përpara politika proteksioniste, ka thënë se SHBA-ja është duke u trajtuar padrejtësisht nga kjo Organizatë.

Ai ka thënë të enjten, se marëveshja e vitit 1994 për të themeluar Organizatën “ka qenë marrëveshja më e keqe e arritur ndonjëherë për tregti”, ndonëse ka pranuar se SHBA-ja ka fituar disa raste në të kaluarën.

Paralajmërimi i tij për tërheqje të SHBA-së nga ky trup, thekson konfliktin në mes të politikave tregtare të presidentit amerikan dhe sistemit për tregti të hapur që mbikëqyr Organizata.

Në po të njëjtën kohë, Uashingtoni ka bllokuar së fundmi zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj në sistemin për zgjidhjen e konflikteve në këtë Organizatë, çka potencialisht mund të paralizojë aftësinë e së njëjtës për të marrë vendime.

Përfaqësuesi amerikan për Tregti, Robert Lighthizer, ka akuzuar Organizatën për ndërhyrje në sovranitetin e SHBA-së.

Leave a Reply